Tre anëtarë të një familjeje shqiptare janë dënuar me disa vite burg në Britani, pasi u shpallën fajtorë për përfshirjen në një rrjet të organizuar të shpërndarjes së kokainës përmes WhatsApp-it.

Sipas Daily Mai Rezart Balesi, 44 vjeç, u dënua me 7 vite e 6 muaj burg, ndërsa djali i tij, Joshua Balesi, 22 vjeç, me 4 vite burg. Refail Balesi, 39 vjeç, vëllai i Rezartit, u dënua me 5 vite e 3 muaj burg.

Vendimi u dha nga Manchester Crown Court, pas një hetimi të zhvilluar për një periudhë të gjatë ndaj aktivitetit kriminal të grupit.

Sipas provave të paraqitura në gjykatë, Rezart Balesi kishte përdorur një biznes të quajtur “Village Bistro”, në Vernon Street, Greenmount, Bury, si bazë për aktivitetin e rrjetit.

Joshua dhe Refail Balesi administronin një numër telefoni përmes të cilit klientët kontaktonin në WhatsApp për të porositur kokainë. Porositë më pas u përcilleshin shpërndarësve, të cilët kryenin dorëzimet.

Gjykata vlerësoi se bëhej fjalë për një aktivitet të organizuar dhe fitimprurës. Nga mesazhet e sekuestruara gjatë hetimit rezultoi se grupi mund të siguronte deri në 9 mijë paund fitime në një natë.

Prokuroria deklaroi se ishte e vështirë të përcaktohej përmasa e plotë e aktivitetit kriminal, por provat tregonin se në disa ditë realizoheshin dhjetëra shitje kokaine. Një ekspert vlerësoi se gjatë një periudhe tre mujore ishin shpërndarë rreth 790 gramë kokainë.

Në komunikimet e zbuluara nga autoritetet përmendej gjithashtu blerja e sasive të mëdha të drogës, me një vlerë që arrinte në rreth 36 mijë paund.

Sipas hetuesve, rrjeti ka qenë aktiv nga maji i vitit 2024 deri në mars të vitit 2026.

Gjatë seancës, gjykatësja kritikoi ashpër Rezart Balesin për përfshirjen e djalit të tij në aktivitetin kriminal, duke theksuar se Joshua ishte vetëm 18 vjeç kur nisi të merrte pjesë në veprimtari.

Në kuadër të të njëjtit hetim janë dënuar edhe persona të tjerë. Fatos Vrenezi, 53 vjeç, mori 4 vite burg, ndërsa Lorenzo Canovi, 48 vjeç, u dënua me 37 muaj.

Imanuel Lumaj, 30 vjeç, u dënua me 3 vite e 9 muaj burg, ndërsa Fjoraldo Lukaj, 31 vjeç, me 3 vite e 6 muaj burg, së bashku me vendimin për dëbimin e tij nga Britania.

Antonino Precaj, 33 vjeç, u dënua me 27 muaj burg për rolin e tij në një tjetër komplot kriminal të lidhur me kultivimin e kanabisit, ku ishte përfshirë edhe Joshua Balesi.

Hetimi është zhvilluar nga North West Regional Organised Crime Unit. Sipas inspektorit Michael Robinson, autoritetet kanë goditur një grup të rëndësishëm të krimit të organizuar, i cili, sipas tij, po shkaktonte dëme të konsiderueshme në komunitetet lokale.

Rezart dhe Refail Balesi u deklaruan fajtorë për komplot për shpërndarjen e drogave të kategorisë A, ndërsa Joshua Balesi u deklarua fajtor për komplot për shpërndarjen e drogave të kategorive A dhe B.

Rezart Balesi

Joshua Balesi

Refail Balesi