Hamasi: Nuk do ta njohim kurrë ekzistencën e shtetit izraelit
Thirrje urgjente për armëpushim humanitar në Rripin e Gazës ka qenë mesazhi i dhënë dje nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon. Dje, në një konferencë shtypi në Pallatin e Qelqtë në Nju Jork, para gazetarëve ai theksoi se populli i Gazës nuk ka se ku të shkojë dhe se ata janë të bllokuar. Ban Ki-moon theksoi se të dyja palët duhet të mbajnë përgjegjësi për krimet e ndodhura. Në seancën urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të dielën vonë në mbrëmje, u kërkua armëpushim “i menjëhershëm” në këtë konflikt, nga i cili deri tani janë vrarë më shumë se 1030 palestinezë dhe 45 izraelitë, shumica prej tyre ushtarë. Përfaqësuesi palestinez dhe ai izraelit në Kombet e Bashkuara e kritikuan deklaratën e Këshillit të Sigurimit. Binte në sy sidomos deklarata e ambasadorit izraelit, i cili pretendonte se rezoluta ishte tendencioze dhe e njëanshme, për faktin se, sipas tij, në të nuk përmendej në asnjë rast emri i Hamasit e akteve të tij me raketa në qytetet hebreje, por vetëm sulmet izraelite. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, e hodhi poshtë kërkesën e bërë nga komuniteti ndërkombëtar në Nju Jork, duke i thënë shefit të OKB-së, Ban Ki-moon, se deklarata merret me “nevojat e një grupi vrasës terrorist që sulmon civilët izraelitë” duke mos përfillur aspak nevojat e sigurisë të shtetit hebre. Në një dalje publike në televizionet amerikane, udhëheqësi i Hamasit, Khaled Meshaal, kërkoi që Izraeli t’i japë fund pushtimit të Gazës dhe ripohoi vendimin e hershëm të organizatës së tij për të mos e njohur kurrë zyrtarisht të drejtën e Izraelit për të ekzistuar. Megjithëse beteja e deklaratave vazhdon, dje Izraeli i kufizoi sulmet në Rripin e Gazës, ndërkohë që edhe sulmet palestineze me raketa kundër Izraelit ranë ndjeshëm. Një zyrtar i ushtrisë izraelite pohoi se për një periudhë të pakufizuar, ushtria do të hapë zjarr vetëm në përgjigje të sulmeve, por do të vazhdojë kërkimin dhe shkatërrimin e tuneleve ndërkufitare që Hamasi i përdor për të depozituar armë dhe për të hyrë fshehurazi në Izrael.