Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Quick Response”, duke bërë të mundur zbardhjen e gjashtë rasteve të vjedhjeve dhe tentativave për vjedhje të ndodhura gjatë muajve prill dhe maj në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Në pranga ka rënë një 40-vjeçar nga Ksamil, i cili rezulton me precedent penal për vepra të ngjashme. Hetimet kanë treguar se ai është autor i dyshuar i pesë vjedhjeve të kryera në dyqane të ndryshme, si dhe i një tentative tjetër për vjedhje në një njësi tregtare.
Nga veprimet hetimore, rezulton se gjatë këtyre ngjarjeve, i arrestuari ka marrë para dhe sende me vlerë, duke shkaktuar dëm material pronarëve të bizneseve. Aktualisht, ndaj tij po vijon procedura penale për vjedhje të kryera në seri dhe tentativa për vjedhje.
Policia e Tiranës bën me dije se operacioni është pjesë e angazhimit për forcimin e sigurisë dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në kryeqytet.
