Festivali i Gazetarisë “Pyet” ka çelur siparin për herë të parë ne vendin tonë, duke sjellë një hapësirë të re diskutimi dhe reflektimi mbi profesionin e gazetarit.
Ideuar dhe realizuar nga gazetarja Kristi Gongo, ky festival synon të nxisë pyetjen, analizën dhe mendimin kritik në një kohë kur media po përballet me sfida të shumta.
Ky event bëri bashkë profesionistë të botës së medias, pedagogë të mirënjohur dhe figura të shquara të gazetarisë.
Ata të cilët ndanë eksperiencat e tyre personale dhe sfidat e hasura ndër vite në gazetari, teksa diskutimet u fokusuan në zhvillimet më të fundit të medias online, rëndësinë e klikimeve dhe ndikimin e tyre në përmbajtje, si dhe nevojën për verifikimin e lajmeve në një realitet ku informacioni shpërndahet me shpejtësi.
Po ashtu, vëmendje e veçantë iu kushtua edhe radios, si një nga format më tradicionale të komunikimit, e cila vijon të mbetet e rëndësishme dhe e besueshme për publikun.
Festivali i Gazetarisë “Pyet” vjen si një nismë që synon të forcojë standardet e gazetarisë dhe të rikthejë vëmendjen te thelbi i saj, informimi i saktë dhe i përgjegjshëm i qytetarëve.
