Një ngjarje tragjike ka ndodhur gjatë natës në zonën Monteverde të Romës, ku një 27-vjeçar, Leonardo Fiorini, ka humbur jetën pasi ra nga kati i tretë i një ndërtese. Sipas hetimeve paraprake, Fiorini dyshohet të ketë rënë pas një konflikti me shokun e dhomës, David Stojanovic, 25 vjeç, italo-shqiptar, i cili është arrestuar për akuzën e vrasjes.

Ngjarja ka ndodhur në një dhomë të marrë me qira, ku të dy të rinjtë kishin qëndruar disa ditë. Dëshmitë nga fqinjët tregojnë se mes tyre kishte shpërthyer një debat i ashpër, që më pas u zhvendos në ballkonin e apartamentit. Gjatë përplasjes fizike, Stojanovic dyshohet se shtyu Fiorinin, i cili ra nga një lartësi rreth 12 metrash dhe ndërroi jetë në vend.

Në momentin kur karabinierët mbërritën në vendngjarje, Stojanovic u gjet në apartament në gjendje të rënduar psikologjike, dyshohet për shkak të përdorimit të substancave narkotike. Gjatë kontrollit, u gjet edhe një sasi hashashi në dhomë. Të dy të rinjtë ishin të fejuar, por partneret e tyre nuk ndodheshin në vendngjarje.

Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve, Fiorini nuk mundi t’u mbijetonte dëmtimeve. Pas marrjes në pyetje, Stojanovic u arrestua për vrasje dhe aktualisht ndodhet në arrest shtëpie, duke pritur seancën për konfirmimin e masës. Hetimet vijojnë për të zbuluar motivet dhe dinamiken e saktë të incidentit tragjik.