56-vjeçarja shqiptare Donike Gocaj ka humbur jetën në një ngjarje tragjike në Manhattan, pasi ra në një pusetë të hapur pranë automjetit të saj.

Sipas raportimeve, ngjarja ndodhi pak para mesnatës, në momentin kur ajo kishte zbritur nga makina dhe po ecte vetëm disa hapa, pa e kuptuar se kapaku i pusetës mungonte. Ajo ra disa metra poshtë, ndërsa ekipet e emergjencës e gjetën pa ndjenja dhe e dërguan me urgjencë në spital, ku më pas u konfirmua vdekja.

Dëshmitarët tregojnë se gjithçka ndodhi shumë shpejt. Njëri prej tyre tha se dëgjoi gruan duke bërtitur “po vdes”, ndërsa shtoi se viktima nuk ishte e shpërqendruar apo duke përdorur telefonin në ato momente.

Nga hetimet paraprake dyshohet se kapaku i pusetës ishte zhvendosur vetëm pak minuta më herët, pasi mbi të kishte kaluar një kamion i rëndë. Kompania energjetike Con Edison deklaroi se incidente të tilla janë tepër të rralla, por mund të ndodhin nga pesha e automjeteve të tonazhit të rëndë.

Familjarët e Donike Gocajt janë shprehur të tronditur nga tragjedia, ndërsa kërkojnë të mësojnë se si një ngjarje e tillë ndodhi në një prej zonave më të frekuentuara të New York-ut