Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar sot akuza të forta ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, duke pretenduar se në institucionet nën varësinë e saj “po manipulohen dhe ndryshohen dokumente”, në lidhje me hetimin e SPAK për procedurat e tunelit të Llogarasë.
Sipas Berishës, “prej 10 ditësh në zyrat e agjencive që varen nga Balluku po kryhen ndërhyrje në dokumentacion”, një situatë që, sipas tij, bie nën përgjegjësinë direkte të prokurorisë. Ai përmendi edhe raste të mëparshme të hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë, duke e cilësuar si “standard të dyfishtë” faktin që Balluku “ndodhet ende në detyrë”.
Në deklaratën e tij për mediat, Berisha theksoi se “çdo zyrtar i marrë nën hetim duhet të japë dorëheqjen”, duke kujtuar se kjo ishte — sipas tij — “një traditë e qeverisjes së mëparshme”. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se po mbron një zyrtare të kabinetit të tij, duke kujtuar edhe raste të tjera të diskutueshme nga e kaluara politike.
Berisha pretendoi gjithashtu se drejtues të qeverisë kanë ushtruar presion ndaj prokurorisë në lidhje me masat që duhet të merren ndaj Ballukut, duke paralajmëruar se “në vijim do të dalin edhe shifra të tjera”.
Më herët, SPAK ka konfirmuar se zv.kryeministrja është njoftuar për akuzat e ngritura ndaj saj në kuadër të hetimit për procedurat e tunelit të Llogorasë. Ky është një zhvillim që pritet të jetë në qendër të debatit politik në ditët në vijim
Top Channel
