Në dalje të Prokurorisë së Posaçme ku zbatoi masën detyrim paraqitje, kryetari i PD-së, Sali Berisha akuzoi sërish ish drejtuesin e SPAK, Altin Dumani, lidhur me një apartament të deklaruar prej tij në deklaratën e vettingut.

Berisha thotë se Dumani ka blerë apartamentin në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës në vitin 2006 me 390 euro m2, kur çmimet në atë zonë kanë qenë dyfishi i shumës së deklaruar. Sipas kreut të demokratëve, Altin Dumani ka gënjyer në deklarimin e bërë, pasi ka nënshkruar një kontratë porosie në vitin 2006 dhe në atë apartament ka filluar të banojë që në vitin 2004.

“Altin Dumani në veting, për rikujtesë kjo, kjo është e radhës së kaluar, kam bërë kontratë porosie për blerje apartamenti banimi me sipërfaqe 127 metër katrorë me datën 18.8.2006, në një godinë pesëkatëshe, në Tiranë. Vlera totale e apartamentit është 50 mijë euro.

Shuma e shlyer është 9 mijë euro në momentin e blerjes dhe 2 milionë e 950 mijë lekë me datën 16.11.2006 në momentin e marrjes së kredisë. Detyrimi i mbetur është 2 milionë lekë, i cili do bëhet pas plotësimit të dokumentacionit. Tani, dëgjoni pak.

Dua të sqaroj në faqen 8, thotë, se në këtë apartament kemi filluar të banojmë, apartamentin që kemi porositur në vitin 2006, me 18.8.2006 e porosita thotë, kontratë porosie, çka do të thotë kur paguhen në ndërtim e sipër. Në apartament, thotë, kam filluar të banoj në vitin 2004. A ka gënjeshtër më të turpshme se kjo?

Në faqen 7 thotë e porosita apartamentin me kontratë porosie me 18.8.2006. Në faqen 8 thotë në këtë apartament kam filluar të banoj në vitin 2004. Dhe kam shpenzuar 1 milion e 400 mijë lekë për arredimin e brendshëm. Tani dëgjojeni pak tjetrën se çfarë race mashtruesish janë këta.

Se ç’përfaqëson ky që kryesoi prokurorinë më të rëndësishme të vendit. Se ç’përfaqëson ky që në Kushtetutë përfaqëson prokurorinë më të rëndësishme të vendit. Shikoni çfarë thotë.

Komisioni konstatoi, thotë, se çmimi i blerjes së kësaj pasurie është në vlerën 390 euro. Pasuria është në një nga zonat më elitare të Tiranës, diku tek Liqeni i Thatë apo Kodra e Diellit, në atë krah atje, ku janë çmimet më të kripura dhe që në atë periudhë, sipas burimeve të sigurta, kanë qenë të paktën 750-800 euro. Tani shikoni se çfarë thotë komisioni. Komisioni thotë se çmimi i blerjes së kësaj pasurie është në vlerën 390 euro.

Komisioni vlerësoi këtë çmim në raport me çmimet e tregut, kontratat e ngjashme të porosive apo të shitblerjes në këtë zonë dhe ky çmim nuk rezulton nën koston e ndërtimit. Pra, në variantin më të sigurt, është shumë larg çmimit të tregut, por është në çmimin e kostos së ndërtimit. Pra, apartamenti është blerë me çmimin e kostos së ndërtimit. E dëgjoni tani? Blerë me çmimin e kostos.”– tha ai. / Top Channel