Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar ashpër kryeministrin Edi Rama për përdorimin e kultivimit të drogës si mjet për të manipuluar zgjedhjet vendore të 11 Majit 2025. Në një deklaratë për mediat, Berisha e cilësoi procesin si një “farsë elektorale të kanabizuar”, duke pretenduar se janë mbjellë mbi 29.300 hektarë drogë në të gjithë vendin, në shkelje flagrante të ligjit dhe konventave ndërkombëtare.

Sipas tij, ligji i miratuar nga qeveria parashikon vetëm 200 hektarë për kultivim, por në vitin elektoral kjo shifër është shumëfishuar në mënyrë të paligjshme. Berisha deklaroi se janë mbjellë të paktën 1.3 miliardë bimë kanabisi, me vlerë tregu deri në 10 miliardë euro.

Sali Berisha: Në farsën elektorale të 11 Majit 2025, kreu i organizatës kriminale të narkoshtetit shqiptar, Edi Rama, përdori të gjitha mjetet, ndër të cilat licencat për mbjelljen në kundërshtim flagrant me ligjin dhe të gjitha konventat ndërkombëtare të 29 mijë e 300 hektarëve drogë.

Ligji i miratuar nga qeveria lejon, autorizon mbjelljen e 200 hektarëve në mbarë vendin. Por në vitin elektoral, kjo sipërfaqe u shumëfishua dhjetëra herë, qindra herë.

Pra, në vit elektoral Edi Rama rrethoi Shqipërinë në të katër anët e saj, dhe në thellësi, me plantacione droge, vlera e të cilave është kolosale po të kemi parasysh se në 28 mijë hektarë mund të mbillen dhjetëra milionë rrënjë kanabis, të cilat shkojnë në një vlerë të paktën 10 miliardë euro.

Tani pra, siç e shihni ju, në vitin elektoral, janë përcaktuar të mbillen të paktën 1 miliard e 200 mijë rrënjë kanabis sa kurrë, kurrë, kurrë ndonjëherë në histori.

Në qoftë se një hektar i lihet një bime 2 metër katrorë, i bie në një hektar të mbillen 5 mijë bimë.
Në qoftë se shumëzoni 29.400 hektarë me 5 mijë bimë, imagjinoni pra se ku shkon kjo shifër. Shkon mbi miliard e 300 mijë.

Shkon në mbjelljen më të madhe që mund të jetë regjistruar ndonjëherë në një vend.
Dhe që të gjitha këtu, tashmë jo bimë klandestine, por bimë të mbjella me certifikatë shteti, me leje të narkoshtetit.
Kjo është katastrofa më e madhe dhe me këtë akt, Edi Rama nga veriu në jug, lindja në perëndim, bleu qindra mijëra vota.

Thashë dhe njëherë, nuk ka ndodhur kurrë që të autorizohet, të shkelet me 140 herë sipërfaqja e parashikuar me ligjin, siç ka ndodhur në këto zgjedhje. Ky vendim dhe kjo praktikë, sikur të mos kishte asnjë faktor tjetër, kanabizon tërësisht farsën elektorale. Këto zgjedhje kurrë nuk mund të njihen.