Kreu i PD, Sali Berisha ka reaguar për herë të parë lidhur me protestat në Zvërnec, ku banorë dhe aktivistë kundërshtojnë projektin turistik të zhvilluar në zonën e mbrojtur të Pishë Poro. Berisha, i pyetur nga gazetarët deklaroi se dënon dhunën ndaj protestuesve, duke e cilësuar si një akt të shëmtuar të policisë së shtetit.

Megjithatë, ai theksoi se Partia Demokratike mbështet fuqimisht investimet e huaja, duke kujtuar se gjatë qeverisjes së tij ishte miratuar një ligj që garantonte mbrojtjen e investitorëve të huaj në rast të problemeve me pronësinë.

“Nëse është fjala për dhunën e ushtruar ndaj protestuesit, e dënoj atë. Ai ishte rrëmbim, në duart e policisë, dhe e dënoj atë si një akt të shëmtuar të policisë së shtetit. Një. Së dyti, nuk kam asnjë faqe, asnjë fletë, asnjë gjë të atij projekti. Megjithëse t’ju them këtu, e kam ndjekur me shumë interes të gjitha publikimet që janë bërë. Së treti, meqenëse e doni këtu, Partia Demokratike është parti që mbështet fuqimisht investimet e huaja.

Dhe kjo parti në pushtet, ja këtë tani ju kërkoj ta mbani shënim, ka patur një ligj. Një ligj i cili zgjidhte në mënyrë të plotë dhe totale çështjen e pronësisë. Cili ishte ligji? Ligji thotë këtë: në rast se qeveria miraton një projekt të një investitori të huaj, i cili është bazuar në dokumente origjinale shtetërore pronësie, kadastre, dokumente origjinale, çdo problem që lind pas miratimit të qeverisë, qeveria i përgjigjet palës me çmimin e tregut. Ja u them këtu, pse u vu ky ligj? U vu ky ligj sepse konstatoja që me investitorë shqiptarë nuk ndodhte, kurse me investitorë të huaj vraponin pas pengmarrjes,” tha Berisha