Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, u pyet sot nga prokurorët e SPAK lidhur me protestën e organizuar nga Partia Socialiste më 21 janar 2011, gjatë së cilës humbën jetën katër mbështetës të opozitës nga të shtënat e efektivëve të Gardës së Republikës.
Dëshmia e Tahirit ka qenë pjesë e hetimeve që kanë rinisur pas kallëzimit të bashkëshortes së Aleks Nikës, njërit nga viktimat e protestës. Prokurorja e SPAK njoftoi se do të thirren për t’u dëshmuar edhe deputetë, ish-deputetë dhe drejtues të PS, si dhe zyrtarë të atëhershëm, duke përfshirë ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ish-ministrin Lulzim Basha.
Hetimi do të kërkojë një vit kohë për të përpiluar dosjen dhe për ta dërguar në Gjykatën e Apelit. Ajo theksoi se SPAK ka pyetur një numër të lartë zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh në lidhje me ngjarjet e 21 janarit, ku përveç katër viktimave, vetëm dy prej vrasjeve kanë autorësi të identifikuar. Dy të tjerët mbeten pa autor, gjë që ka shtyrë rinisjen e hetimeve.
Në protestën e 21 janarit, u vranë Faik Myrtaj, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Ziver Veizi. Deri më tani, për vrasjet e Ziver Veizit dhe Faik Myrtajt, janë dënuar Agim Llupo dhe Ndrea Prendi me dënime të ulëta për vrasje nga pakujdesia, një vendim që ka shkaktuar kritika të shumta.
Tahiri dhe të tjerë ish-zyrtarë do të kenë detyrimin të sqarojnë rolin e tyre në organizimin e protestës dhe në ngjarjet që ndodhën atë ditë. Pritet që hetimet të përfundojnë vitin e ardhshëm dhe të sjellin një verdikt për përgjegjësitë e personave të involvuar në këtë tragjedi.