Kreu i PD-së, Sali Berisha publikoi ditën e djeshme një foto, në të cilën shfaqej ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, duke përdorur një telefon celular, në qelinë e burgut.

Në postimin e tij, Berisha e cilësonte këtë si “trajtim special” dhe pretendonte se foton e kishte siguruar nëpërmjet “qytetarit dixhital”. Sipas Berishës, në foto shfaqej dhe një person tjetër që ish-kryeministri quante ‘Ron Shqopa’ dhe e akuzonte si trafikant droge

Megjithatë, pa mbushur akoma 24 orë nga publikimi, Berisha e ka fshirë këtë foto duke mos dhënë asnjë arsye. Ndërkohë, Drejtoria e Burgjeve në një reagim për TopNews, ka deklaruar se fotoja nuk është shkrepur në asnjë prej institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale.

“Lidhur me foton e publikuar në rrjete sociale ku shihet shtetasi Vangjush Dako, sqarojmë se fotoja nuk është shkrepur në ambientet e ndonjë institucioni të ekzekutimit të vendimeve penale (IEVP) në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në reagimin e Drejtorisë së Burgjeve.