Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj ka deklaruar se protesta kundër qeverisë nuk do të ndalet, pavarësisht ndërhyrjeve të policisë, të cilat ai i cilësoi si të dhunshme dhe të rrezikshme për jetën e protestuesve.

I pyetur për ftesën e Sali Berishës për dialog, Lapaj u shpreh se prioriteti nuk janë tryezat politike, por dalja e qytetarëve në shesh, përtej logove të partive. Ai propozoi krijimin e një komiteti me përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizatave, që të ketë selinë në Bulevard dhe të marrë vendime për largimin e kryeministrit Edi Rama.

“Për çfarë na duhen tryezat? Ne na duhen qytetarët në shesh. Përfaqësues nga të gjitha organizatat, një komitet që selinë ta ketë në Bulevard duke marrë vendimin për largimin e Ramës. Unë jam i gatshëm të bëj një hap pas dhe të jem qytetar i thjeshtë. Unë jam i gatshëm të bëj hap pas nëse ky detyrohet të ikë.

Thelbi i protestës është të ndërgjegjësojë qytetarët për zgjedhje të lira e të ndershme dhe të vendoset diskursi publik si dorëheqja e Ramës si një nga njerëzit e korruptuar. Sheshet do të duhet të jenë plot, por e kuptoj edhe humbjen e shpresës, pasi njerëzit kanë parë si rrugë ikjen.”- tha ai.