Analisti Roland Bejko komentoi mbi dy figurat kryesore që vazhdojnë të mbizotërojnë skenën politike shqiptare: Sali Berisha dhe Edi Rama.

Sipas tij, Berisha e ka eliminuar prej kohësh demokracinë e brendshme në Partinë Demokratike, ndërsa Rama ka ndërmarrë disa ndryshime strukturore në Partinë Socialiste.

“Shumë thonë se Shqipëria është sistem dypartiak, por në fakt sot kemi një sistem multipartiak të dominuar. Fillimisht ishim në një sistem të hapur, më pas kaluam në dypartiak, ndërsa sot kemi një model ku partitë e tjera ekzistojnë, por dominohen nga dy forca kryesore,” u shpreh Bejko.

Ai shtoi se në këtë fazë Rama ka pasur interes të mbajë Berishën aktiv në politikë, duke i krijuar, sipas tij, disa “lehtësi të padukshme, por të ndjeshme”.

“Berisha dhe Rama ndajnë disa tipare të përbashkëta: janë liderë karizmatikë me prirje autoritare, të cilët kërkojnë jo vetëm kontroll mbi strukturat partiake, por edhe ndikim mbi opinionin publik përmes mediave. Shqipëria sot funksionon si një sistem partitokrat, ku partia dominohet nga lideri dhe më pas partia dominon mbi shtetin. Shqipëria është sistem partitokrat, partia ka dominuar mbi shtetin dhe ata e kanë dominuar partinë. Berisha e ka eliminuar me kohë demokracinë brenda partisë, Rama në mënyrën se si e ndërtoi partinë e tij, bëri dy apo tre difuzione,” theksoi ai.