Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se kryeministri Rama  bllokoi drejtësinë me akt antikushtetues për të shpëtuar veten. Gjatë fjalës së tij në takimin me strukturat e partisë në Tiranë, Berisha u shpreh se vendi ndodhet në një situatë të paprecedent, ndërsa shtoi se Rama bllokoi në mënyrë brutale veprimin e sistemit të drejtësisë.

Berisha tha se Rama ndërmori këtë akt edhe pas paralajmërimeve të përsëritura të partnerëve kryesorë ndërkombëtarë në procesin e integrimit europian. Sipas tij, dosja Balluku ëshët dosja Rama.

Sali Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetje ju dhe të gjithë anëtarësisë Partisë Demokratike për Tiranën, mbështetësve tanë, anëtarëve të Forumit Rinor, anëtarëve të LDGSH. Thirrëm këtë takim sepse në situatë të jashtëzakonshme, ne duhet t’i përgjigjemi me një gatishmëri dhe masa të jashtëzakonshme.

Vendi ndodhet në një situatë të paprecedent më parë. Edi Rama hoqi çdo maskë për të mbrojtur lëkurën e tij para shqiptarëve dhe mbarë botës. Në një akt antikushtetues, ai bllokoi në mënyrë brutale veprimin e sistemit të drejtësisë.

Edi Rama përdori 83 mandatet e tij të krimit për t’i vënë çelësat asaj dege të pushtetit pa të cilin ndarje pushtetesh nuk ka. Pa të cilin pushteti është totalisht në duart e një njeriu. Edi Rama ndërmori këtë akt dhe pas protestave të fuqishme të opozitës.

Edi Rama ndërmori këtë akt edhe pas paralajmërimeve të përsëritura të partnerëve kryesorë ndërkombëtarë në procesin e integrimit europian, por dhe të partnerëve të tjerë. Ai mori një akt ekstremis sepse e kuptoi, e realizoi që dosja Balluku ishte dosja Rama.

Dhe njerëzit e lidhur me krimin, diktatorët e të gjitha llojeve, ngjyrave, janë gjithnjë të aftë të marrin çdo lloj vendimi për të shpëtuar lëkurën e tyre. Pra, ky është një vendim që u ndërmor për të shpëtuar lëkurën e tij. Me të drejtë shqiptarët pyesin, si ka mundësi që ndërmerret një akt i tillë nga parlamenti? Unë u them qytetarëve shqiptarë, pavarësisht nga bindjet politike, se Shqipëria sot ka në krye një bandë kriminale, më të rrezikshmen që ka patur ndonjëherë.