Lista e Partisë Demokratike nuk pati asnjë surprizë. Sali Berisha kryeson listën e mbyllur në kryeqytet, i ndjekur nga Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka dhe  deputetja Albana Vokshi.

Sali Berisha vendosi të rikthejë në Kuvend Jozefina Topallin, ndërsa la në listë të hapur deputetet Jorida Tabaku dhe Dhurata Çupi, dy kandidatët gra më të votuara në primaret e Tiranës. Ky vendim, për t’i lënë vend të sigurt Mesila Doda të PDIU, Fatmir Mediut dhe dy kandidatëve të Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho dhe Tedi Blushi.

Edhe Ilir Alimehmeti, i cili ishte ndër më të votuarit e Primareve u la në listë të hapur, ndërkohë Hysen Kadiu me i votuari në qark, nuk pranoi të jetë në listë të hapur, në shenjë proteste. Në qarkun e Elbasanit, Sali Berisha vendosi të përmbysë listën duke lënë jashtë zonës së sigurisë  deputetit më të votuar në Primare, Dashamir Sula.

Në Durrës bie në sy rikthimi i Gent Srazimirit dhe Igli Carës, ndërsa një vend të sigurt ka kandidati i Dukës. Qarkiu Fier udhëhiqet nga drejtuesi politik Gazment Bardhi, një vend të sigurt në liste ia doli të merrte Saimir Korreshi, ndërsa Ilir Meta caktoi kandidaten e tij Brunilda Haxhiaj.

Lista e mbyllur në kryeqendrën e veriut krahas Luçiano Boçit që udhëheq, ka të sigurt dy deputetët Greta Bardeli dhe Ramadan Likaj, dhe futet një emër i ri, Kliti Hoti. Në listën e Korçës që e prin Ivi Kaso bie në sy emri i Bledjon Nallbanit dhe Lediani Aliollit, ndërsa në listë të hapur është Edmond Spaho. Supriza nuk ka as në qarqet më të vogla.

Në total Sali Berisha la në zonën e sigurt 19 deputetë ku shumica janë besnikë të tij, ndërsa në listën e hapur figurojnë 13 deputet të grupit aktual parlamentar. Primarët sollën refuzimin dhe braktisjen e 11 deputeteve të grupit, të cilët nuk pranuan të futeshin në garë ose u tërhoqën pasi e panë veten jashtë listë.