Prej disa ditësh, gjatë daljeve të tij publike, Berisha ka përmendur idenë e një vale të re protestash për të rrëzuar qeverinë, duke iu referuar edhe përvojës së mëparshme me “mosbindjen civile” para zgjedhjeve.

Edhe sot, ai ka theksuar se protestat janë të vonuara, por ka paralajmëruar se opozita do të ngrihet fuqishëm në shtator. Këtë herë, shprehet i bindur se do të arrijë të rrëzojë kryeministrin, të cilin e quan “Ramaduro”, duke e krahasuar me presidentin e Venezuelës.

“Janë të vonuara, shqiptarët kanë vetëm një rrugë, atë të përballjes me Ramaduron,” u shpreh Berisha gjatë konferencës për shtyp.

Ai shtoi më tej:
“Shqiptarët kanë rrugën e protestës dhe përballjes me narkoshtetin për të rifituar votën e lirë. Do t’i nisim pa diskutim. Nuk ka asnjë rrugë tjetër. Ramaduro nuk shpëton kësaj here. Është kapur në çark dhe nuk ka forcë në botë që ta shpëtojë. Ua them unë. Ka shumë njerëz që janë të vendosur.”

Në përfundim, Berisha iu rikthye edhe një herë rezultatit të 11 majit, duke theksuar se është duke paraqitur dokumente dhe fakte që, sipas tij, vërtetojnë manipulimin e zgjedhjeve.