Deputeti demokrat, Sali Berisha, denoncimi i të cilit solli dhe arrestimin e Emiljano Shullazit tri ditë më parë, vijon të ngrejë dyshimet e tij mbi këtë arrestim të bujshëm. Në komentin e radhës në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, Berisha ngre shqetësimin se edhe pse kanë kaluar 72 orë nga ky arrestim, ende nuk ka asnjë fotografi të Emiljano Shullazit, emri i të cilit është përfolur jo pak gjatë viteve të fundit. Sipas Berishës, Shullazin nuk ka kush ta fotografojë. “Kohët e fundit është bërë praktikë pune që çdo aksion policor, person i ndaluar apo i arrestuar publikohet me figurë dhe video në lentet mediatike të Saje qorrit që nuk i përmend dot emrin Milit dhe Edvin Shullazit, që ishte bërë sot vrer e sterrë i zi nga tronditja. Por sot kanë kaluar 72 orë dhe nga zyrat mediatike të Saje dhe Edvin Shullazit nuk ka dalë qoftë dhe një foto apo video e vetme e ndalimit të vrasësit dhe gjobëvënësit, simbolit të fuqisë kriminale të partisë siciliste”, shkruan Berisha. Dhe kjo sipas tij, po ndodh se arrestimi i Shullazit nuk përbën një sukses të qeverisë së tij, pasi ky është një arrestim i diktuar nga të tjerët. “Për Edvin Shullazin, arrestimi i diktuar i nënkryetarit të tij për problemet e sigurisë, nuk është as arritje dhe as sukses, por humbja tejet e rëndë e një qendre të çmuar të pushtetit, që paktet nuk i bën me qytetarët, por me kriminelët”, përfundon komentin e tij, deputeti i PD-së.