Këtë të premte, Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë ankimin e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, lidhur me masën e sigurisë “arrest shtëpie”, të vendosur një vit më parë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Gazetari Osman Stafa raporton se Kushtetuesja pritet të shpallë vendimin gjatë ditës së sotme. Berisha ka kërkuar që masa e vendosur nga SPAK, e cila u konfirmua edhe nga dy shkallët e tjera të gjyqësorit, të shpallet antikushtetuese.
Fillimisht, Berisha kishte ankimuar masat e SPAK që përfshinin bllokimin e pasaportës dhe detyrimin për t’u paraqitur në institucionet përkatëse. Ai kishte argumentuar se drejtësia duhet të kishte marrë miratimin e Kuvendit për të vazhduar me procedurat, duke mos i zbatuar këto masa në fillim.
Në seancën e 21 nëntorit 2024, Gjykata Kushtetuese kishte rrëzuar masën e ndalimit për të udhëtuar jashtë vendit duke e cilësuar atë jo proporcionale. Ndërkohë, për masën “detyrim paraqitje”, Kushtetuesja kishte argumentuar se organet e drejtësisë mund të veprojnë pa miratimin e Kuvendit.
Sali Berisha qëndroi në arrest shtëpie për 333 ditë. Ndërkohë, më 3 janar 2025, Apeli i Posaçëm riktheu masën “detyrim paraqitje” për ish-kryeministrin.
Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese pritet të jetë vendimtar për vijimin e çështjes ndaj liderit të opozitës.
