Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbledhur këtë të hënë Kolegjin e Kryetarëve, duke e cilësuar momentin si të rëndësishëm për partinë dhe vendin.
Në fjalën e tij, Berisha drejtoi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, për të cilin tha se po synon një formë alternative të integrimit në Bashkimi Europian, që sipas tij bie ndesh me interesat kombëtare.
Ai u shpreh se raporti për Shqipërinë nuk ka marrë mbështetjen e duhur, duke pretenduar se numri i vendeve kundërshtuese është rritur. Gjithashtu, Berisha akuzoi Ramën se, së bashku me Aleksandar Vuçić, kanë dërguar një letër drejt BE-së ku, sipas tij, kërkohet një formë tjetër integrimi që nuk përfshin anëtarësim të plotë, por vetëm marrëveshje tregtare dhe lëvizje të lirë.
Sipas Berishës, një qasje e tillë përbën “ndëshkim për shqiptarët” dhe një akt kundër interesave kombëtare.
Në përfundim, ai u bëri thirrje demokratëve për mobilizim dhe protesta, duke kërkuar një rezistencë të fortë deri në largimin e qeverisë aktuale.
