Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar takime me drejtues të lartë të Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara gjatë vizitës së tij në Dallas, në kuadër të punimeve të Konventës Republikane.
Në takime ishte i pranishëm edhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu.
Gjatë qëndrimit në Dallas, Berisha është takuar me Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-së, Todd Blanche, si dhe me Zv.Prokurorin e Përgjithshëm, Stanley Woodward Jr. Takimet u zhvilluan në një prej aktiviteteve të kampit republikan amerikan.
Berisha ka ndarë edhe një mesazh për takimet, duke i cilësuar ato si një nga momentet e rëndësishme të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara.
“Gjatë punimeve të Konventës Republikane, në Dallas, në një prej momenteve më të rëndësishme të jetës politike amerikane, ku Republikanët u mblodhën për të diskutuar të ardhmen e vendit dhe sfidat që përballon bota e lirë, bashkë me z. Fatmir Mediu, pata nderin dhe kënaqësinë të takoja krerët e Departamentit të Drejtësisë, Prokurorin e Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara, Todd Blanche, dhe Zv.Prokurorin e Përgjithshëm, Stanley Woodward Jr.”, shkroi Berisha.
Takimet vijnë gjatë vizitës së Berishës në SHBA, ku ai ka marrë pjesë në aktivitetet e kampit republikan dhe ka zhvilluar takime me figura të politikës amerikane.
Në ditët e fundit, Berisha është shfaqur në disa takime me përfaqësues të politikës amerikane, ndërsa vizita e tij në SHBA ka përfshirë edhe pjesëmarrjen në Konventën e Partisë Republikane.
