Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar nga Brukseli se organizata ndërkombëtare e qendrës së djathtë IDC-CDI do të ngrejë një grup pune për mbledhjen e fakteve lidhur me akuzat e opozitës për atë që ai e cilëson “narko-shtet shqiptar” dhe për pretendimet mbi lidhje mes qeverisë shqiptare dhe karteleve të drogës.

Në një lidhje direkte me SYRI TV, Berisha tha se propozimi i tij është mirëpritur gjatë Asamblesë së Përgjithshme të IDC-CDI, organizatë ku ai mban postin e zv/presidentit.

Sipas kreut demokrat, grupi i punës do të përqendrohet te lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës në Shqipëri dhe vende të tjera, duke mbledhur të dhëna dhe fakte mbi pretendimet e ngritura nga opozita.

“Do të krijohet një grup pune i cili do të mbledhë fakte mbi narko-shtetin dhe lidhjet direkte të qeverisë shqiptare me kartelet e drogës dhe krimit”, deklaroi Berisha.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, lideri i PD-së akuzoi qeverinë shqiptare për ndikim të grupeve kriminale në ekonomi dhe politikë, duke përmendur edhe çështjen e “narko-euros”.

Berisha bëri të ditur gjithashtu se ka propozuar organizimin e një konference ndërkombëtare për trafikun e drogës dhe situatën në Shqipëri, me synim rritjen e vëmendjes së institucioneve europiane ndaj këtyre problematikave.