Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është nisur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas heqjes së masës së non-gratës ndaj tij.
Para nisjes, Berisha e ka cilësuar vizitën si një moment të rëndësishëm, duke deklaruar se pret mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për zhvillimet politike në Shqipëri.
Ai është shprehur se udhëtimi i tij në SHBA lidhet me takimet me mbështetës dhe miq të tij, ndërsa ka përsëritur bindjen se Uashingtoni do të mbështesë atë që e cilëson si përpjekjen për ndryshim politik në Shqipëri.
“Unë kam shumë kënaqësi që sot nisem për në Shtetet e Bashkuara, po me atë bindje si në mars të vitit 1991. Se vendi i madh i lirisë do mbështesë Shqipërinë dhe shqiptarët”, u shpreh Berisha.
Ai e ka cilësuar këtë vizitë si “udhëtimi i viteve për Shqipërinë”, ndërsa ka theksuar se gjatë qëndrimit në SHBA do të zhvillojë takime me miqtë e tij.
“Kjo prani dëshmon se ju e parandieni që ky për Shqipërinë është udhëtimi i viteve.
Dhe unë kam shumë kënaqësi që sot nisem për në Shtetet e Bashkuara, po me atë bindje si në mars të vitit 1991.
Se vendi i madh i lirisë do mbështesë Shqipërinë dhe shqiptarët në përpjekjen e tyre për t’u çliruar nga diktatura autoritare e bazuar në drogën, krimin, dhe vjedhjen e shqiptarëve të Edi Ramës, regjimit të narkoshtetit.
Edhe një herë, edhe një herë, nuk ka asgjë personale. Thashë dhe një herë, prania juaj këtu dëshmon se ju e ndjeni që ky është udhëtimi i viteve për Shqipërinë.
Kurse në rrafshin tim, unë shkoj dhe takoj miqtë e mi të cilëve u them: unë erdha, erdha”, u shpreh Berisha.
I pyetur nëse po udhëtonte me biletën e biznes apo ekonomik class, Berisha nuk preferoi të përgjigjej: “Faleminderit shumë. Faleminderit dhe mirupafshim”.
