Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha nuk është paraqitur as sot në SPAK për të dëshmuar në lidhje me ngjarjet e rënda të ndodhura në protestën e 21 janarit, në vitin 2011.

Pas kësaj, ka reaguar Prokuroria e Posaçme, e cila tha se i ka dërguar një fletëthirrje. Megjithatë, sipas Berishës nuk i ka ardhur asgjë.

Edhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi  me anë të një reagimi zyrtar, është shprehur se Berisha nuk ka marrë asnjë fletëthirrje për t’u paraqitur në ambientet e SPAK këtë të premte.

Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka dërguar asnjë njoftim drejtuar Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe për pasojë stafi politik i grupit nuk ka patur çfarë të refuzojë.

Referimi nga SPAK i një gënjeshtre të thënë nga Kuvendi i Shqipërisë meriton vetëm përbuzje. Vetë SPAK ishte në dijeni të faktit se nuk ka dërguar ndonjë njoftim drejtuar Grupit tonë Parlamentar dhe për pasojë nuk mund të keqinformojë median mbi fakte të shtrembëruara për interesa politike nga ana e Kuvendit të Shqipërisë.

Po ashtu, Prokuroria e Posaçme apo vetë Kuvendi është në dijeni të rolit dhe përgjegjësive të një grupi parlamentar dhe stafeve të tyre politike, ku “ofrimi i shërbimeve postare” nuk hyn në fushën tonë të përgjegjësisë!

Rezulton e provuar se në kutitë postare të asnjë deputeti të grupit tonë parlamentar, që ndodhen brenda ambienteve të Kuvendit, nuk ka të depozituar asnjë njoftim të dërguar nga SPAK nga ana e administratës së Kuvendit të Shqipërisë.

Sa më lart, shprehim keqardhje për keqpërdorimin politik të Prokurorisë së Posacme, për propagandë dite të inskenuar nga mazhoranca socialiste në Kuvendin e Shqipërisë.