Opozita do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dekretin e Presidentin Bajram Begaj për ministrin virtual Diella, si dhe vendimin e sotëm të Parlamentit të miratuar vetëm nga shumica për ndryshimin e rregullores së Kuvendit.

Gjatë fjalës së tij nga mbledhja e grupit parlamentar demokrat, Berisha akuzoi Presidentin Begaj për dekretin e tij.

“Unë mendoj se të dy aktet që bënë, aktin e pashembullt të presidentit të Republikës i cili dekreton ministër virtual, inekzistent duke fyer Kushtetutën, vendin dhe presidentin. Dhe e bën si një skllav i Edi Ramës, që është i implikuar gjer në palcë në vjedhjen dhe shpërdorimin e pronave të ushtrisë dhe detyrohet të firmosë çdo gjë që i çon Edi Rama. Akt i pashembullt. Imagjinoni ju, e bëri zhurmën, por zhurma po i kthehet në bumerang se, Edi Rama për të mbuluar se po krijon kabinetin e votës së rrëmbyer, të farsës elektorale, nxorri Diellën. Por Diella po i bëhet sterr dhe do i bëhet. Duhet ta nisim urgjentisht këtë dekret në Gjykatën Kushtetuese, njerëz të papërgjegjshëm për detyrën. Të aftë të firmosin gjithçka. Nuk ndodh. Nuk besoj se ndonjë diktator tjetër të kishte këtë fuqi asgjësuese për kreun e shtetit”.

Lidhur me këtë dekret të Diellës që nxiti debate publike, vetë Presidenca reagoi disa ditë më parë duke thënë që Bajram Begaj dekretoi Edi Ramën si Kryeministër, ku kishte edhe një nen që Rama ngarkohet me përgjegjësi për të ngritur Ministrinë Virtuale.

Gjithashtu, Sali Berisha tha se edhe vendimin e Parlamentit për ndryshimin e rregullores së Kuvendit për riorganizimin e komisioneve parlamentare, do ta dërgojnë në Kushtetuese. Sipas tij është shkelur libri themeltar i shtetit, pasi pr/ligji u kalua me procedurë të përshpejtuar 1-ditore.

Sipas Kushtetutës, procedura e përshpejtuar përcakton minimalisht 7-ditë kohë për shqyrtim.

“Sikundër duhet të dërgojmë menjëherë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për pezullimin e vendimit të sotëm të miratimit të ndryshimeve të rregullores në të cilën janë shkelur parimet themelore të Kushtetutës, janë shkelur nenet e saj, është shkelur rregullorja e parlamentit. Kushtetuta dhe rregullorja parashikojnë si rrugë të vetme të ndryshimit të rregullores afatin 1-javor minimal. Dhe këta e bën me një afat 1-ditor”.

Duke qëndruar sërish te komisionet parlamentare sipas strukturës së re, grupi parlamentar demokrat miratoi edhe emrat të cilët do të drejtojnë 4 komisionet parlamentare të opozitës.

Ndërkohë, Sali Berisha foli edhe për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke u shprehur në mbledhjen e grupit se vendi nuk i ka plotësuar standardet, por opozita e mbështet këtë proces.