Sali Berisha ka falënderuar anëtarët e Partisë Demokratike për mbështetjen dhe votëbesimin e dhënë në procesin e riafirmimit të tij në krye të partisë.
Në reagimin e tij, Berisha shprehu mirënjohje edhe për demokratët që votuan kundër ose abstenuan, duke theksuar se mendimet dhe rezervat e tyre do të merren në konsideratë.
Ai falënderoi gjithashtu komisionerët dhe strukturat e PD-së në të gjithë vendin për organizimin e procesit zgjedhor, të cilin e cilësoi shembullor.
Sali Berisha:
Jam këtu para së gjithash për të shprehur mirënjohjen time më të pakufishme, nderimin më të thellë për të gjithë ata demokrate e demokratë, që sot votuan për riafirmimin tim në një votëbesim masiv në krye të Partisë Demokratike.
Një mirënjohje e veçantë shkon edhe për ata që votuan ndryshe.
I garantoj se vota e tyre ndryshe, apo kundër abstenim qoftë, do mbahet shënim në kuptimin e asaj që do bëj gjithçka për t’u dhënë përgjigje më të mirë atyre hezitimeve apo vërejtjeve për të cilat ata votuan kundër ose abstenuan.
Jemi një familje e mbrujtur në palcë, në qelizë me diversitetin, me standardin demokratik.
Shumë mirënjohje për ata qindra e qindra komisionerë në të katër anët e vendit, të cilët organizuan këtë proces shembullor në të gjitha degët e PD të Shqipërisë.
Falënderim të përzemërt për kryetarët, udhëheqësit politikë të qarqeve, kryetarëve të degëve në mbarë vendin, kryesitë dhe të gjithë ata që kontribuuan në këtë proces.
