Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar vendimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për shkarkimin e Anuela Ristanit nga funksionet e deleguara.
Berisha e ka interpretuar lëvizjen e Veliajt si një përballje të drejtpërdrejtë me kryeministrin Edi Rama, duke e cilësuar këtë zhvillim si shenjë të dobësimit të kreut të qeverisë.
Sipas kryedemokratit, Rama ndodhet nën presion dhe nuk është më në gjendje të ndërmarrë ndryshimet që paralajmëron. Berisha deklaroi se vendimi i Veliajt përbën, sipas tij, një sfidë të hapur ndaj kryeministrit.
“Momenti që u zgjodh nga Erion Veliaj për t’i hedhur dorezën dhe për ta sfiduar në mënyrë përfundimtare është dëshmi e dobësisë ekstreme të Edi Ramës”, u shpreh Berisha.
Ai iu referua edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me procedurën e shkarkimit të Veliajt, duke theksuar se kjo gjykatë e kishte vlerësuar si antikushtetuese mënyrën e ndjekur nga Rama përmes këshilltarëve bashkiakë socialistë.
Berisha tha se zhvillimet e fundit dëshmojnë për një betejë të brendshme mes Veliajt dhe Ramës, ndërsa sipas tij, pasojat e kësaj përplasjeje i vuajnë qytetarët e Tiranës.
Në këtë kuadër, kreu i PD-së solli si shembull edhe situatën në lumin e Tiranës, duke pretenduar se zona është mbushur me mbetje dhe se problematikat e qytetit po mbeten në plan të dytë për shkak të përplasjes politike.
“Akti i djeshëm i Erion Veliajt dëshmon përfundimisht se Edi Rama po bëhet një kalë i ngordhur që dalin tani t’ia heqin dhe patkonjtë, e kupton vetë.
Pra, dhe kjo është një e vërtetë. Në qoftë se qytetarët e kanë konstatuar, e kanë ndjekur, ai është një person në rrethim, që për të mbrojtur shkon nga një vilë qeveritare në një vilë tjetër qeveritare. Dhe që njofton ndryshime po s’bën dot asnjë ndryshim. S’bën dot asnjë ndryshim.
Në këtë kuadër është fillimi i hapur i sulmit të Erion Veliajt ndaj tij.
Nuk mohohet se Gjykata Kushtetuese vlerësoi si antikushtetues procedurën e shkarkimit nga Edi Rama nëpërmjet këshilltarëve bashkiakë socialistë të tij.
Por momenti që u zgjodh nga Erion Veliaj për t’i hedhur dorezën dhe për ta sfiduar në mënyrë përfundimtare është dëshmi e dobësisë ekstreme të Edi Ramës. Dhe pra, gjithçka veprohet në një betejë midis tyre.
Po viktimë janë qytetarët e Tiranës, me keqardhje të madhe. Kam publikuar dje një video të një qytetari ku tregonte se si është transformuar lumi i Tiranës që unë në memorien time nuk e mbaj mend kurrë në atë gjendje të mbushur me të gjitha llojet e plehrave në brigjet e lumit.
Pra, në këtë rast kjo Ristani, e cila nuk shkarkohej nga nënkryetare por i hiqeshin të gjitha kompetencat e deleguara, dhe duke mos ia deleguar dinjitetin asaj apo këtij apo atij, i mbante vetë Erion Veliaj duke i thënë Edi Ramës: ‘dil në mejdan të tregoj se sa vlen ti’, nuk ke punë.
Pra, është një zhvillim pozitiv kjo betejë. E quaj pozitiv, se sa më shumë të shkërmoqen, t’i nxjerrin sytë njëri-tjetrit, aq më shumë e meritojnë”, u shpreh Berisha.
