Në takimin e parë të këtij viti, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka ngarkuar deputetëve të opozitës një detyrë të re, duke i caktuar si përgjegjës për verifikimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet në zonat e prekura.
Sipas Berishës, ky inventarizim do të shërbejë për të ngritur zërin në mbrojtje të qytetarëve të dëmtuar dhe për të kërkuar dëmshpërblim të plotë nga qeveria.
“I garantojmë qytetarët e këtyre zonave se zërin tonë do ta përdorim fuqishëm dhe në çdo kohë. Kjo qeveri do t’i dëmshpërblejë ata për çdo qindarkë që kanë humbur nga këto përmbytje”, u shpreh Berisha.
Në prag të sesionit të ri parlamentar, kryedemokrati kërkoi nga deputetët e tij që të rifillojnë përballjen politike me mazhorancën socialiste, duke e fokusuar debatin te çështjet e drejtësisë dhe përgjegjësisë qeveritare. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për, sipas tij, mbrojtje politike ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku.
“Kryeministri ka bllokuar procedurën kushtetuese për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe ministrave që akuzohen për korrupsion, vjedhje dhe shpërdorim detyre. Çdo ditë që kalon është një shkelje e rëndë e Kushtetutës dhe ligjit”, deklaroi Berisha.
Gjithashtu, Berisha paralajmëroi një protestë më 24 janar, duke theksuar se synimi i opozitës është largimi i kryeministrit nga pushteti përmes mjeteve paqësore.
