Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është rikthyer në Shqipëri pas vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është pritur me brohoritje nga mbështetësit e tij.
Pas mbërritjes, Berisha e cilësoi udhëtimin në SHBA si një periudhë “ripërtëritjeje”, duke u ndalur edhe te aktivitetet ku mori pjesë gjatë qëndrimit të tij.
Ai përmendi veçanërisht Konventën e Republikanëve në Teksas, ku sipas tij ka folur edhe Donald Trump.
Berisha tha se në fjalën e tij, Trump është shprehur kundër komunizmit dhe regjimeve diktatoriale, duke i lidhur ato me krimet dhe pasojat e tyre.
Kreu i PD Sali Berisha: Ky ishte udhëtimi më ripërtëritës i jetës sime. Konventa e republikanëve në Teksas ishte shumë e rëndësishme. Më e rëndësishme ishte fjala e presidentit amerikan Donald Trump. Fjala e Trump e ka bërë sulltanin e Surrelit që të frikësohet. Ai tha se komunizmi dhe krimi i organizuar janë rreziqet më të mëdha për një komb.
Isha në këtë vizitë, ku ndodhesha bashkë me kreun e republikanëve shqiptarë Fatmir Mediu. Në këtë vizitë u ritkheva bashkë me miqtë e mi 35 vite më përpara. E gjeta diasporën shumë më të fuqishme sesa më herët, një diasporë e fuqishme ekonomikisht, një diasporë tashmë, që janë bërë sipërmarrës dhe janë shkolluar në shkollat më të rëndësishme botërore. Pra, ajo që mund t’ju them ishte udhëtim ripërtëritjeje në kuptimin e vërtetë të fjalës.
