Ditën e sotme në orën 10:00, Kuvendi do të hapë dyert për mbledhjen e parë të Legjislaturës XI, në zbatim të dekretit të Presidentit të Republikës.
Kjo seancë do duhej të drejtohej nga Sali Berisha, si deputeti me moshën më të madhe, por ai ka refuzuar, pasi nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve. Edhe Tritan Shehu ka mbajtur të njëjtin qëndrim. Kështu, një tjetër mjek do ulet në krye Parlamentit për pak orë në të drejtuarin seancën dhe betimit. Ai është Vasil Llajo, një prurje e re në grupit parlamentar socialist.
Në Kuvend kanë nisur përgatitjet për seancën inauguruese të ditës së premte. 140 deputetët e legjislaturës së 11 do të hyjnë në Parlament paradite, teksa i mirëpresin rojet ceremoniale dhe himni kombëtar. Deputeti Llajo do të çelë seancën konstituuese dhe do të ngrihet një komision për verifikimin e mandateve.
Ai do të shqyrtojë dosjet e deputetëve të sjella nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, proces ky me natyrë burokratike. Derisa komisioni të bëjë punën e tij, deputetët e rinj do të largohen dhe do të rikthehen pasdite. Në pjesën e dytë të seancës plenare, drejtuesi Llajo do të thërrasë një nga një emrat e 140 deputetëve për t’u betuar. Më pas, mazhoranca socialiste do të propozojë emrin për kryetar Kuvendi, i cili gjithsesi do të jetë mësuar një ditë më parë, kur kryesocialisti Edi Rama ta shpallë në mbledhjen e partisë. Kuvendi do të organizojë një votim të fshehtë me fletë votimi letre dhe kuti, ku votat do të numërohen një nga një.
Komisioni do të shpallë kryetarin e zgjedhur të Kuvendit dhe në këtë moment, Llajo do t’i lirojë vendin drejtuesit të vërtetë të Parlamentit, i cili do të mbajë fjalën zyrtare. Në të gjitha këto pjesë të seancës plenare të së premtes nuk lejohet debat me opozitën. Në një seancë tjetër, që parashikohet të jetë të hënën, Kryeministri Edi Rama do t’i parashtrojë Kuvendit qeverinë e tij dhe programin qeverisës. Vetëm pasi parlamenti të votëbesojë kabinetin, ministrat e qeverisë “Rama 4” do të shkojnë për dekretim dhe betim tek Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.