Sali Berisha e nisi mandatin e ri në krye të PD, pas fitores pa garë, me akuzë ndaj mediave. Berisha pretendon se del pak në ekran dhe Partia Socialiste favorizohet.

Në konferencën për shtyp të së hënës publikoi një raport subjektiv, ndonëse me shifra, mbi minutat dhe temat e opozitës dhe mazhorancës në edicionet e lajmeve të 4 televizioneve kombëtare. Monitorimi i liderit demokrat është me probleme të theksuara në ngatërrimin e informacionit me propagandë. Madje edhe studim i pasaktë pasi kritikat i kanë cilësuar lavde, si në këtë kronikë të datës 15 maj ku pedagogu Ndoc Fasllia, ish zv.ministër i Bujqësisë ne periudhën e PD, flet kundër projektligjit të ministrisë për shitjen e tokave bujqësore te të huajt.

Për PD edhe lajmet për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, apo vendimet e këshillit të ministrave nuk përbëjnë interes publik, por janë kohë e harxhuar për PS. Gjithashtu vendimet e rritjes së çmimit të naftës nga bordi i transparencës i quan në favor të qeverisë. Edhe hyrjen në zbatim të ligjit për paqen fiskale të kërkuar nga vetë deputetët e Partisë Demokratike, në momentin që udhëzimet zbardhen nga administrata tatimore, konsiderohet si kohë e tepërt e dhënë qeverisë.

Kjo metodologji qesharake e përdorur nga PD ku në kategorinë qeveri janë përfshirë jo vetëm aktivitetet politike të mazhorancës, por edhe zhvillime që lidhen me negociatat, ekonominë, institucionet shtetërore, turizmin, emergjencat, sigurinë, diplomacinë apo shërbimet publike; nuk hedh dot poshtë punën e redaksive të mëdha që përzgjedhin, rendisin, shkruajnë e publikojnë lajme në themele të forta të gazetarisë: rëndësia e informimit publik me fakte, me dokumente dhe ekspertë. Gazetaria nuk funksionon me kronometër. Dhe krahasimi nuk qëndron e nuk është i vërtetë kur dy forca politike nuk janë në të njëjtin terren editorial. Por me këtë metodologji opozita kërkon të zvogëlojë veten përballe të gjithë aktivitetit institucional të shtetit shqiptar; duke fajësuar median.

Një samit ndërkombëtar, një raport i Bashkimit Europian, një krizë sigurie apo një vendim ekonomik nuk transmetohen sepse i shërbejnë një partie, por sepse konsiderohen ngjarje me interes publik. Monitorimi çedon po ashtu kur nuk llogarit si kohë të opozitës kronikat televizive për debatin në Kuvend. Apo ka ditë kur opozita ka dominuar plotësisht hapësirën informative. Më 23 maj, për shembull, në disa edicione informative opozita zinte pjesën dërrmuese të minutazhit. Pra tregues i qartë, se në redaksitë profesionale, minutazhi nuk përcaktohet nga matematika e politikës, por nga zhvillimet e ditës, interesi publik dhe rëndësia e ngjarjes.

Top Channel informon prandaj është televizioni kryesues në shikueshmëri dhe besueshmëri, e për këtë nuk pret dekorata nga politika. Aq më tepër nga Sali Berisha, një politika që si rrallë në botë vazhdon ende në politike edhe pas 36 vitesh dhe përdor metodologji të tilla dëshpëruese, që do të ishte fyerje edhe për një student të vitit të parë të komunikimit./ Top Channel