Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh se “sot dështoi në mënyrën më të turpshme përpjekja e Edi Ramës për të përçarë protestën në mënyrën më të neveritshme”.
“Ata të cilët, si punë e qorrit të tij, që deklarojnë se protestojnë për të përmirësuar Ramën, ata janë Jago të revoltës studentore. Studentët e revoltuar, gjimnazistët i kanë prerë biletën Edi Ramës. Nuk besojnë kurrë se ai mund të përmirësohet.
Janë të bindur se ka kryer krime të rënda dhe duhet të largohet menjëherë nga pushteti. Dhe kjo pikërisht është arsyeja e përpjekjes së dëshpëruar të tyre, për t’i izoluar studentët nga mbështetësit e vërtetë dhe të fuqishëm të tyre. Po kjo nuk mund të ndodhë kurrë. Në këtë përpjekje pati dhe mjeranë të angazhuar nga policia kriminale, por që të gjithë morën përgjigjen e merituar”, tha Berisha.
“Pra, mund të themi se sot Edi Rama, me puthadorët e tij, dështoi në mënyrë përfundimtare të përçajë protestën. Protesta studentore edhe njëherë ka nevojë jetike, të madhe, të mbështetet nga të gjithë ata që besojnë se Edi Rama është një e keqe e madhe në këtë vend, që duhet të largohet menjëherë.
Pavarësisht nga kundërshtitë që mund të kenë njëri me tjetrin, pavarësisht nga programet e ndryshme që mund të kenë. Rëndësi kapitale ka që shqiptarët të mund të votojnë të lirë dhe me votën e tyre të zgjedhin më të mirët e të mirëve që ata besojnë. Dënoj me forcën më të madhe dhunën e egër policore. Kërkoj lirimin e menjëhershëm të studentëve të ndaluar në komisariatet e policisë. Dhe ftoj të gjithë ata policë që kanë minimumin e ndërgjegjes kombëtare dhe njerëzore, të hedhin kapelat, të bashkohen me studentët, se studentët po bëjnë një betejë për çdo shqiptar, edhe për policët dhe fëmijët e tyre, që ata të ndërtojnë jetën e tyre në Shqipëri”, shtoi Berisha.
