Policia ka forcuar masat e sigurisë para SPAK ku pritet të paraqitet ish kryeministri Sali Berisha i marrë i pandehur për aferën Partizani. Berisha duhet të paraqitet sot në orën 10:00 në SPAK në zbatim të masës detyrim paraqitjeje.

Edhe kësaj radhe ish-kryeministri ka mobilizuar sërish militantët para prokurorisë së SPAK, ndërkohë policia ka forcuar masat e sigurisë. Lideri demokrat u është drejtuar strukturave me një mesazh në të cilin thuhet se më 20 janar, të mblidhen sërish në SPAK teksa Berisha do paraqitet në zbatim të masës së sigurisë të caktuar ndaj tij.

“Dita e hënë është data e radhës e përcaktuar për t’u paraqitur Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha, në SKAP. Ndaj, në orën 9:30, përsëri të gjithë në protestë përpara SKAP-it, si vegël në duar të Ramës për të përndjekur kundërshtarët politikë. Faleminderit”, thuhet në mesazhin e ndarë për strukturat e PD.

Kjo është hera e dytë që Berisha do paraqitet në SPAK, ndërsa për herë të parë në zbatim të masës së sigurisë shkoi në SPAK më 6 janar ku mblodhi vetëm një grusht militantësh. Berishës iu rikthye masa e detyrimit të paraqitjes më 3 janar 2025 nga gjyqtari i Apelit të Posaçëm, Engert Pëllumbi, pasi SPAK ankimoi lirimin e tij.

Berisha është marrë i pandehur për dosjen ‘Partizani’, për të cilën SPAK e akuzon se me një sërë veprimesh i hapi rrugë privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani që u pasua me ndërtimin e 19 kullave, ku përfitues është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i pandehur gjithashtu.