Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar mbledhjen e kryesisë së PD-së në seli.
Në fjalën e tij, ai u ndal te Gjykata Kushtetuese, duke thënë se është e kapur në mënyrë barbare nga kryeministri Edi Rama.
“Siç jeni njoftuar kjo mbledhje thirret për të diskutuar lidhur me zhvillimet në vend, aksionin opozitar dhe betejën tonë për përmbushjen e misionit të PD-së, rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve.
Ne mblidhemi sot në kushtet e një emergjence të vërtetë politike, emergjence të vërtetë natyrore, të gjithanshme.
Siç del, Edi Rama ka hequr çdo maskë para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar.
Ai de facto ka kryer një grusht shteti, duke marrë pushtetin e parlamentit, bllokuar funksionimin e parlamentit, detyrimin kushtetues të këtij institucioni për të shqyrtuar kërkesat e organeve të drejtësisë për heqjen e imunitetit dhe masa të tjera ndaj personave me imunitet.
Gjykatën Kushtetuese, siç e patë, e kapi në mënyrë barbare.
I imponoi gjykatës të marrë kompetencat kushtetuese të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë.
Në asnjë germë, në asnjë nen të legjislacionit shqiptar nuk po parashikohet që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë masa sigurie para shqyrtimit të tyre nga sistemi i drejtësisë në tre shkallë. Në asnjë nen.
Ky i imponoi gjykatës të marrë pushtetin e gjykatave të tjera në mënyrën më antikushtetuese.
Pra, de facto, duke bllokuar parlamentin dhe duke u imponuar gjykatës një vendim që do nxijë në analet e drejtësisë shqiptare në të gjithë kohërat, Edi Rama ka marrë çdo pushtet dhe nuk pranon zbatimin e drejtësisë.
Tregon se për atë nuk ka ligj, nuk ka Kushtetutë, nuk ka organe drejtësie”, tha ndër të tjera Berisha.
