Kreu i PD-së, Sali Berisha priti sot në selinë blu deputetin e Bundestagut gjerman, Peter Beyer (CDU), njëkohësisht drejtues i Grupit për Ballkanin Perëndimor në Bundestagun gjerman. Pas takimit, ata dhanë një prononcim për gazetarët, ku zbardhën diskutimet mes tyre. Berisha tha se e njoftoi deputetin gjerman për ‘bllokimin e drejtësisë’.
“E njoha me pengesat e mëdha serioze me gjendjen e bllokimit të plotë të sistemit të drejtësisë, kartelave të drogës dhe vështirësi të tjera që ne përballemi dhe vendosmërinë tona për të vazhduar përpjekjen në këtë vend. Faleminderit zotit Bayer për interesin dhe mbështetin tuaj për Shqipërinë dhe shqiptarët”-, tha Berisha.
Beyer u shpreh se duhet transparencë në sistemin gjyqësor ndërsa shtoi se do ketë bashkëpunim për integrimin europian.
“Duhet transparencë dhe qasje e hapur ndaj sistemit gjyqësor të këtij vendi. Këtë folëm dhe në lidhje me atë që mund të bëjmë për të mirën e shqiptarëve. Jam i lumtur që jam këtu dhe do të kthehem sërish. Do të bashkëpunojmë për integrimin europian, kjo është baza e miqësisë sonë”, tha deputeti gjerman.


