Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje demokratëve dhe qytetarëve në rrethe që t’i bashkohen mosbindjes civile, ndërsa ka kërkuar mobilizim për protestat në kryeqytet.

Gjatë një deklarate për mediat, Berisha i cilësoi studentët dhe gjimnazistët që protestojnë si “heronj të vërtetë”, duke theksuar se mosbindja civile është një formë mbështetjeje për ta.

Sipas kreut të PD-së, qytetarët që kanë mundësi të udhëtojnë drejt Tiranës duhet t’i bashkohen protestës ditën e nesërme.

“Qytetarët që mund të vijnë në Tiranë nesër, të vërshojnë drejt kryeqytetit. Këtu është sheshi ku fitorja do të firmoset nga qytetarët shqiptarë”, deklaroi Berisha.

Ai përsëriti gjithashtu kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si një hap të nevojshëm për zgjidhjen e situatës politike në vend.

“Njofto një minutë e më parë dorëheqjen. Jep dorëheqjen, hapi rrugën zgjidhjes së denjë për një vend anëtar në Bashkimin Europian”, u shpreh kreu i demokratëve.