Sali Berisha i ka dhënë fund dilemës për kandidaturën e opozitës në Tiranë, duke vendosur të mbështesë aktorin e njohur të humorit, Florian Binaj, i cili ka shpallur kandidaturën e tij si i pavarur për Bashkinë e kryeqytetit.

Vendimi për të mbështetur një figurë nga shoqëria civile ka sjellë lëvizje të menjëhershme në strukturat e Partisë Demokratike, të cilat kanë nisur mobilizimin në bazë për të sqaruar dhe bindur demokratët lidhur me këtë qasje të re.

Gazetarja e Top Channel, Elda Menga, raporton se një ditë më parë, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, zhvilloi takime në kryesinë e degëve 2, 9 dhe në zonën e Astirit. Qëllimi i këtyre takimeve ishte të sqarohej baza për rëndësinë e mbështetjes së një kandidature të pavarur që vjen nga shoqëria civile. “Detyra jonë si drejtues është të sqarojmë demokratët se përse është domosdoshmëri që përballë këtij narkoshteti, PD dhe spektri opozitar i vendit të tejkalojë veten dhe të gjejë konsensus të gjerë shoqëror me faktorë të shoqërisë civile. Ne do të mbështesim emrin që bashkon qytetarët përtej përkatësive partiake, sepse kërkojmë një elektorat të bashkuar dhe jo të polarizuar,” u shpreh Noka në takimin me kryesinë e Degës 2 në Tiranë.

Kandidatura e Florian Binajt, e njohur përmes rolit të tij në satirën politike dhe sensibilizimin qytetar, ka marrë mbështetjen e gjerë të spektrit opozitar, përjashtuar partinë “Mundësia” të drejtuar nga Agron Shehaj, i cili nuk është rreshtuar krah kësaj nisme.

Florian Binaj do të garojë si kandidat i pavarur, por me një mbështetje të gjerë opozitare, duke u paraqitur si një alternativë që synon të thyejë ndarjet politike tradicionale dhe të përfaqësojë qytetarët përtej partive.

Ndërkohë, në të gjitha degët e PD-së ka nisur një fushatë intensive për të mobilizuar strukturat dhe mbështetësit në funksion të garës për Tiranën, e cila konsiderohet si beteja më e rëndësishme e zgjedhjeve lokale.