Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zbuluar sot se si ka nisur përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për të cilin ai thotë se Rama e ka shkarkuar vetë.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, Berisha theksoi se konflikti nisi kur Veliaj udhëtoi në SHBA dhe pati një takim me Kamala Harris, atëherë zv/presidente e SHBA, ndërsa Rama, i cili gjithashtu udhëtoi, nuk mundi ta takonte.
Berisha gjithashtu akuzoi Veliajn për dijeninë e tij mbi “të gjitha vjedhjet” që kryeministri Rama ka bërë në fushën e urbanistikës, duke hedhur dyshime se ky fakt mund të ketë pasur ndikim në përplasjen mes të dyve.
“Ky dimension represiv i shkallës së paimagjinueshme ndaj atyre që Rama nuk vazhdon dot ti mbrojë, ndërsa këtë Veliaj e ka heq vetë. Ky shkoi në SHBA dhe bëri foto me Kamala Harrisin, ndërsa Rama shkoi dhe nuk bëri dot fotografi. Pse e tek nuk e di, por aty filloi shizma e madhe. Për të vjedhur asnjë nga vjedhjet që ka bërë Rama nuk iu faturua Erion Veliajt. Erion Veliajt i din Ramës të gjithë vjedhjen që bën në urbanistikë Edi Rama. Hoteli 20 katsh deri tani 70 mln euro i Redi Mollës, është hoteli i familjes Rama, Redi Molla është djali i tezes së Linda Ramës”, tha Berisha.
