Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj vendimeve të fundit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, lidhur me përfaqësuesit e tij në institucion.
Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi Veliajn se po drejton Bashkinë nga qelia, duke firmosur dhe vulosur vendime sikur të ishte në zyrën e tij. Ai ironizoi situatën, duke e krahasuar me një skenë nga përrallat: “Sikur të jetë në ‘susam hapu’ apo në urdhër të peshkut.”
Duke iu referuar ndryshimeve në drejtimin e Bashkisë, Berisha tha se Veliaj fillimisht i kishte deleguar kompetencat nënkryetares Sara Goxhaj, por më pas Edi Rama riktheu Anuela Ristanin si përfaqësuese të kryebashkiakut.
Ai kritikoi Ristanin për pranimin e këtij vendimi, duke e cilësuar atë si një veprim antikushtetues: “Nëse nuk je njeri i besuar i Edi Ramës, si pranon një urdhër të tij që shkel Kushtetutën?” – u shpreh Berisha.
Sipas tij, delegimi i firmës është një çështje personale e atij që e jep, ndërsa drejtimin e Bashkisë duhet ta përcaktojë vetëm Këshilli Bashkiak, sipas Kushtetutës.
Këto deklarata vijnë mes tensioneve të vazhdueshme për situatën e qeverisjes vendore në Tiranë, me ndryshime dhe vendime të cilat kanë ngjallur debate politike.
