Duket se kryedemokratit Sali Berisha nuk i ka shpëtuar sot dalja publike krah më krah e kryeministrit Edi Rama, me kryeinspektorin e përgjithshëm, Dashnor Sula, dikur deputet i Partisë Demokratike.
Pak momente pasi Sula u shfaq duke lavdëruar vizionin e Ramës, Berisha ka dalë në një konferencë për mediat duke sulmuar ish-deputetit që tashmë sipas tij, ka ndërruar krah.
“Ekziston shprehja popullore, puthu me Milon, por sot kjo është, puthu me Dashin”, tha Berisha.
Sipas kreut të Partisë Demokratike, kryeministri duhet të ishte këtë të premte në konferencën më të rëndësishme vjetore të sigurisë, por pas forumit në Davos, pretendon se Ramës i kanë mbyllur derën edhe në Mynih.
“Nuk ka ndodhur kurrë që një vendi anëtar të NATO-s, t’i mbyllen dyert në forumin e Davosit, të mos lejohet të shkojë. për t’i vënë kapak damkosjes është kjo e pashembullta në historinë e Konferencës së Sigurisë në Mynih. Pra, natyrisht ju nuk mund të keni njoftim zyrtar nga Edi Rama, por unë u them se ekipi i dërguar mbeti i tromaksur, ndërsa në tavolinën gabimisht protokolli kishte vendosur edhe emrin e Edi Ramës, se do ishte. Por dikush u kujtua dhe shkoi dhe e hoqi dhe atë, dhe Edi Rama nuk shkon dot në Mynih”, tha ai më tej.


