Kreu i PD-së Sali Berisha vijon me akuzat e tij kundrejt kreut të SPAK, Altin Dumanit, i cili ditën e djeshme raportoi në Kuvend mbi veprimtarinë vjetore të Prokurorisë së Posaçme.

Në një konferencë për mediat nga selia blu, Berisha thotë se Dumani nuk i duronte dot pyetjet e deputetëve të opozitës, ndërsa thotë se përgjigjet e tij ishin tipike të një njeriu të kapur.

Berisha akuzon Altin Dumanin për lidhje të ngushta me krimin dhe me qeverinë Rama dhe se operon për interes të këtyre të fundit.

“Dita e djeshme regjistrohet në analet e parlamentit shqiptar si dita e kapitullimit pa kushte të pseduomazhorancës së krimit dhe jo vetëm asaj, por para shqiptarëve dhe mbarë botës, mercenarit të Edi Ramës, Altin Troplini.

Qytetarë, ju dje në një teatër tragjikomik patë sesi pseudomazhoranca e tërë u angazhua të shkelë ligje, të shkelë kushtetutën e vendit vetëm në diktatin e Dumanit, i cili refuzonte të merrte pyetje me gojë direkt nga deputetët. Akt i pashembullt. Në të gjitha parlamentet e botës pyetjet bëhen me shkrim dhe me gojë. Dorëzohen me shkrim në mënyrë që zyrtari që pyetet t’i jepet mundësia të përgatisë përgjigjet, lexohen nga autori dhe ky është një standard.

Por i keqpërdoruri dhe i keqshfrytëzuari në ekstrem nuk uronte dot pyetjet. I dukeshin si shigjeta. U bë një kompromis, dhe ai kompromis u bë pas një përpjekje shumë të madhe të opozitës që donte që shqiptarët të mësonin të vërtetat e këtij sistemi të falimentuar.

Kompromisi ishte që zyrtari të lexonte pyetjet dhe pas përgjigjeve të tij ,autori i pyetjes të shprehej 2 minuta për përgjigjet që ai dha. Kjo funksionoi shumë mirë, ndonëse ju e patë vetë, pozitën mjerane në të cilën u ndodhën palët tona kundërshtare. Ai fliste si i kapur. Për të gjithë ata që njohin gjuhën e trupit, kjo ishte e vërteta e tij, ishte i kapur, ai është i kapur”, tha Berisha.