“Gjermania përfitoi interesa të ulëta në kurriz të eurozonës”, thotë ish-kryeministri


Ish-kryeministri Silvio Berluskoni filloi një sulm parazgjedhor kundër pasardhësit të tij Mario Monti, duke thënë se vendi është tashmë më keq se më parë. Ai e akuzoi Montin se po ndjek politika nga të cilat përfiton Berlini, duke argumentuar se Gjermania i ka ulur interesat e borxhit të vet publik në kurriz të shteteve të tjera. Monti po jep dorëheqjen, pasi partia e Berluskonit tërhoqi mbështetjen për qeverinë e tij teknike. Berluskoni do të garojë për zgjedhjet e ardhshme, gara e gjashtë e këtij lloji për të, ndërsa Monti nuk ka vendosur ende se çfarë do të bëjë.


Ka pasur spekulime se Monti mund të garojë për zgjedhje, përmes krijimit të një partie të re apo bashkimit të forcave me grupet e qendrës; ose ai mund të garojë për president, pasi të mbarojë mandati i presidentit aktual vitin e ardhshëm.


Udhëheqësi i Partisë së Lirisë, tashmë 76 vjeç, po garon në zgjedhje për të gjashtën herë. Rikthimi i tij solli edhe rikthimin e pasigurisë në Itali, ekonomia e tretë më e madhe në eurozonë. Tregjet financiare u tronditën. Interesat e borxhit italian janë rritur gjatë ditëve të fundit. Por Berluskoni nuk mendon se kjo përbën shqetësim. “Pse duhet të shqetësohemi ne nga kjo gjë?” tha ai për “Canale 5”, televizionin nën pronësinë e vet.


“Interesat janë një hile dhe një sajesë, përmes së cilës ata synuan të rrëzojnë mazhorancën që sundon vendin”, tha ai, duke iu referuar qeverisë së tij të fundit, e cila u rrëzua një vit më parë si pasojë e panikut mes investitorëve. “Monti ndoqi politika gjermano-centrike”, vijoi ai. “Të gjitha statistikat ekonomike janë përkeqësuar”.


Duke folur në televizionin shtetëror italian dje, Monti, një ekonomist i respektuar që u thirr të krijonte një qeveri antikrizë pas dorëheqjes së Berluskonit, nuk komentoi mbi të ardhmen e tij. Megjithatë ai tha se dëshironte të vijonte të luante një rol në ndikimin e opinionit në Itali.


“Unë mendoj e se bëra këtë gjë kur isha profesor dhe e bëra edhe tani gjatë kësaj periudhe të shkurtër si Kryeministër”, tha ai.


Që kur mori drejtimin e vendit, Monti zbatoi një plan masash kursimi dhe argumentoi se shkurtimi i shpenzimeve dhe rritja e taksave të ndërmarra prej tij e shmangën katastrofën dhe e vunë vendin në rrugën e drejtë. Tani duket se Berluskoni dëshiron të luftojë fushatën e vet elektorale mbi një platformë kundër masave të kursimit, duke premtuar ulje taksash dhe vende pune. Por aktualisht në sondazhe ai është shumë dobët dhe qendra e majtë kryeson me Pier Luigi Bersani. Ky i fundit mbështet gjerësisht me politikat e Montit dhe thotë se nëse vjen në pushtet do të lehtësojë presionin mbi anëtarët më të varfër të shoqërisë.