Në një rrëfim ekskluziv për gazetaren Semiljana Azizi, Tiana Krasniqi hap zemrën dhe tregon përjetimin e saj më të dhimbshëm: momentet e fundit me bashkëshortin, James Broadnax, i cili u ekzekutua me dënim me vdekje në shtetin e Teksasit, pasi ishte shpallur fajtor për vrasjen e dy personave gjatë një grabitjeje të ndodhur në vitin 2008.

Tiana thotë se deri në frymën e fundit, James këmbëngulte në pafajësinë e tij dhe lutej që zëri i tij të dëgjohej. Ajo rrëfen me detaje takimin e fundit, lotët, frikën dhe dhimbjen e momentit kur e pa të lidhur në shtratin e ekzekutimit.

“Nuk jam gati për të vdekur. Nuk e kam bërë këtë krim”, kujton Tiana t’i ketë thënë James gjatë orëve të fundit së bashku. Nga ora 8:00 e mëngjesit deri në mesditë, ata qëndruan pranë njëri-tjetrit, mes lotësh dhe shpresës së fundit se ekzekutimi mund të ndalej.

Por në orët e pasdites erdhi lajmi që gjithçka kishte marrë fund. “Në orën 17:30 hyra në dhomën ku e pashë të shtrirë në shtratin e ekzekutimit, i lidhur me rripa. Ishte momenti më i trishtuar i jetës sime”, rrëfen ajo.

Në intervistën për Semiljana Azizin, Tiana zbulon edhe fjalët e fundit të bashkëshortit të saj: “Mos u dorëzo. Tregoji krejt botës që unë nuk e kam bërë këtë krim”, ndërsa pranon se edhe javë pas ekzekutimit, dhimbja mbetet e papërballueshme.

Për herë të parë, Tiana flet edhe për momentin tronditës kur preku trupin e pajetë të James-it dhe për heshtjen e familjarëve të viktimave, të cilëve ai u kërkoi falje pak çaste para vdekjes.

Pjesë nga intervista:

Semiljana Azizi: Në momentin kur gjykata vendosi të ekzekutojë vendimin e dënimit me vdekje për bashkëshortin tënd, keni qenë e pranishme?

Tiana Krasniqi: Po, isha aty.

Semiljana Azizi: Si ka qenë ajo ditë, procedura, takimi i fundit me James, përshëndetja e fundit me të?

Tiana Krasniqi: Nga ora 8:00 e mëngjesit deri në orën 12:00 ishim bashkë. Kemi pasur bisedat e fundit. Ai qante shumë, unë qaja shumë. Ai nuk e pranonte që duhej t’i ndalin jetën. “Nuk jam gati për të vdekur. Nuk e kam bërë këtë krim”, thoshte vazhdimisht. Ishte shumë vështirë të shihje një burrë 37-vjeçar të qajë dhe të thotë se ka frikë. Pastaj nga ora 14:00 deri në 17:00 prisnim ndonjë lajm për ndalimin e ekzekutimit. Në orën 16:00 më thanë që nuk do ta ndalin. Në orën 17:30 hyra në dhomën ku e pashë të shtrirë në shtratin e ekzekutimit, i lidhur me rripa. Ishte momenti më i trishtuar i jetës sime. Qamë të dy, folëm deri në frymën e fundit. Ai u kërkoi falje familjes së viktimave, por përsëri tha që ai nuk e ka bërë atë krim.

Semiljana Azizi: Ti dhe James jeni takuar fizikisht për herë të parë në momentin kur ai ishte pa jetë. Si e kujton atë moment?

Tiana Krasniqi: Hera e parë kur e prekën pas vdekjes… nuk është e lehtë. Ishte hera e parë dhe e fundit që prek një trup pa jetë. Nuk kam fjalë për ta përshkruar. Është e rëndë. Sidomos kur e di që ai person të ka dashur dhe respektuar më shumë se kushdo tjetër në botë.

Semiljana Azizi: A arritën familjarët e personave që ndërruan jetë në grabitjen e 2008-ës ta falnin James-in kur ai u kërkoi falje në momentet e tij të fundit?

Tiana Krasniqi: Jo, ata nuk folën fare. Vetëm Jamesi u foli atyre. Unë isha aty derisa helmi i hyri në trup. Ai bërtiti nga dhimbja, doli nga vetëdija dhe pas 20 minutash vdiq. Unë u detyrova ta shoh aty 20 minuta duke ia ndalur frymën.

Semiljana Azizi: Cilat kanë qenë fjalët e fundit të tua dhe të Jamesit?

Tiana Krasniqi: Ai më tha: “Mos u dorëzo. Mos u dorëzo. Të dua shumë. Mos u dorëzo. Kallëzoji krejt botës që unë nuk e kam bërë këtë krim.” Deri sot, edhe pas tre javësh, nuk e kam lehtë fare.