Niko Peleshi do të drejtojë Kuvendin e Shqipërisë për katër vitet e ardhshme.
Peleshi ishte sugjerimi i kryesocialistit Edi Rama për të marrë këtë detyrë. Propozimi u hodh në votim të fshehtë në seancën e sotme plenare, ku ia doli të grumbulloi 84 vota pro. 87 deputetë morën pjesë në votim.
Ndërkohë që Peleshi ka mbajtur dhe fjalën e tij në Kuvend.
“Besimi që më dhatë sot duke më zgjedhur kryetar të Kuvendit është nder dhe përgjegjësi e madhe që e pranoj me përulësi dhe përkushtim. Përvoja ime e punës në parlament dhe qeveri, dijet dhe energjitë e mia do të vihen në shërbim të këtij vendi, në shërbim të Shqipërisë dhe qytetarëve. Për të shërbyer në këtë moment historik, angazhohem për ta kthyer këtë besim në një shtysë për të punuar me përkushtim çdo ditë. Falenderoj Spiropalin për punën e saj gjatë vitit të fundit të legjislaturës së kaluar. Falënderoj të gjithë deputetët pavarësisht votës pro apo kundër. Do të bëj gjithçka mundem për të garantuar punën e drejtë në Kuvend.
Sot është radha jonë të hapim dyert e Shqipërisë në familjen europiane, do të ecim me transparencë, gjithëpërfshirje në çdo hap. Shqipëria është një nga popujt më proeuropian në Evropë. Ky nuk është thjesht një betim, por një angazhim që kërkon punë të pandërprerë drejt rrugëtimit europian që është më afër se kurrë në këtë histori. Në këtë rrugëtim, Kuvendi është një institucion shumë i rëndësishëm.”- tha Peleshi.
Opozita, që ishte kundër emrit të Peleshit për drejtimin e Kuvendit, bojkotoi votimin dhe në vend të fletës së votës, hodhi në kuti pankarta kundër qeverisë ‘Rama 4’.