Edi Rama ka reaguar ndaj lajmeve të shpërndara në rrjetet sociale për pretendimin se janë betonizuar dhe tharë Banjat Termale të Bënjës, duke i cilësuar ato si manipulime dhe dezinformim.

Përmes një videoje të publikuar në Facebook, kreu i qeverisë shfaq pamje aktuale nga zona e Bënjës dhe mohon kategorikisht pretendimet që kanë qarkulluar gjatë orëve të fundit në internet.

“Prej 24 orësh është lëshuar një tjetër ‘raketë’ digjitale, që algoritmi e ka shpërthyer në qindra mijëra lajke e mallkime, për shkatërrimin, betonizimin dhe tharjen e Banjove Termale të Bënjës”, shkruan Rama.

Sipas tij, përhapja e këtyre pretendimeve po bëhet me të njëjtën metodë që, sipas Ramës, është përdorur edhe në raste të tjera për të nxitur reagime dhe tension publik.

Kryeministri shton se në zonë nuk ka konflikte pronësie apo ndërhyrje që cenojnë burimet natyrore, por vetëm një projekt publik rigjenerimi dhe zhvillimi urban në funksion të turizmit dhe vizitorëve që frekuentojnë çdo vit Bënjën.

“Bënja nuk ka nevojë për alarm të rremë, por për zhvillim dhe mirëmenaxhim”, thekson Rama në reagimin e tij.