Bisedimet për traktatin mbi tregtinë e armëve pritet të jenë të ashpra


Bisedimet në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork mbi hartimin dhe zbatimin e një traktati ndërkombëtar për kufizimin e tregtisë së armatimeve, ndalën dje mbi një problem teknik, pa filluar ende.


Një debat mbi statusin e delegacionit palestinez shtynë për më vonë nisjen e bisedimeve zyrtare. Disa ekspertë sugjerojnë se ngritja e problemit teknik mund të ketë patur synim në vetvete shtyrjen e bisedimeve në tërësi.


Shumë vende të Bashkimit Europian kanë kërkuar një marrëveshje të menjëhershme, por shtete të tjera kanë shprehur rezerva të mëdha mbi idenë e kontrollit të armëve.


Kundërshtimet mbi statusin e delegacionit palestinez erdhën nga Egjiptianët, një nga shumë vendet që nuk është dakord me kufizimin dhe kontrollin e tregtisë ndërkombëtare të armëve.


Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat qenë fillimisht skeptike dhe që janë eksportuesi më i madh i armatimeve, – aktualisht po e mbështet traktatin, por bashkë me Kinën, Sirinë dhe Egjiptin, nuk dëshiron që edhe tregtia e municioneve t’i nënshtrohet kufizimeve.


Kina dëshiron të përjashtojë nga kufizimet armët e lehta ndërsa shumë vende nga Lindja e Mesme nuk janë dakord me propozimin që vendeve që shkelin të drejtat e njeriut të ndalohen të blejnë armatime. Por shumica e vendeve anëtare të OKB-së dëshirojnë një traktat botëror për të mbikëqyrur tregtinë ndërkombëtare të armatimeve, një aktivitet ky që besohet se qarkullon 60-70 miliardë dollarë në vit.


Rreth 750 mijë vetë vriten çdo vit nga armët e paligjshme dhe aktivistët thonë se konfliktet si ai i Sirisë, e kanë bërë të domosdoshme një traktat të tillë.


Hapja e bisedimeve për arritjen e një traktati janë rrjedhojë e përpjekjeve shumëvjeçare nga një koalicion organizatash joqeveritare si Amnesty International dhe Oxfam.


3 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)