Teksa Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar të rrugëtimit të saj drejt integrimit evropian, tranzicioni i gjelbër dhe praktikat e qëndrueshme të biznesit po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për përmbushjen e standardeve të Bashkimit Europian.
Me mbështetjen financiare të BE-së dhe zbatimin nga GIZ, një numër në rritje biznesesh shqiptare po eksperimentojnë me modele të reja që synojnë të reduktojnë mbetjet, të krijojnë vende të gjelbra pune dhe të zhvillojnë ekonominë qarkulluese.
Në Divjakë, një nga projektet fituese të sfidës së inovacionit për bio-mbetjet po teston mënyra për t’i rikthyer në ekonomi mbetjet bujqësore të biodegradueshme, duke i kthyer ato nga një problem mjedisor në një burim të ri vlere.

“Të gjitha mbetjet që ngelnin nga produkti final kompostohen. Ky proces mundëson që fermerët të punojnë me pleh organik të freskët, duke sjellë një risi në bujqësi. Ky është një produkt që ndihmon në shmangien e shumë problemeve në sektorin bujqësor dhe kontribuon në përmirësimin e cilësisë së tokës” – shprehet Robert Kokoneshi.

Një tjetër shembull vjen nga Lushnja. Në industrinë kozmetike, sipërmarrësja Nerta Bushi u mundëson klientëve të ripërdorin ambalazhet përmes stacioneve të rimbushjes, duke reduktuar përdorimin e plastikës njëpërdorimëshe.
“Një qytetar mund të marri paketimin nga shtëpia e vet ose mund të blejë si fillim paketimin e aluminit që gjendet në makineritë përkatëse dhe ta rimbushit me makineritë tona dhe mbron ambientin”, tha Bushi
Deri në maj të vitit 2026, kjo nismë ka shmangur hedhjen e mbi 6 mijë e 600 shisheve plastike në mbetje dhe ka krijuar katër vende të reja pune të gjelbra, duke treguar se ekonomia qarkulluese mund të funksionojë edhe në jetën e përditshme të konsumatorëve shqiptarë.

Gjatë dekadës së fundit, Bashkimi Europian ka investuar më shumë se 280 milionë euro në sektorët e mjedisit, ujit dhe klimës në Shqipëri, duke mbështetur përmirësimin e infrastrukturës, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përafrimin e legjislacionit kombëtar me standardet mjedisore të BE-së