Mëngjesin e sotëm, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka ndërhyrë në zonën bregdetare të Gjipesë, ku ka shembur një sërë objektesh që funksiononin si bare dhe restorante gjatë sezonit veror.
Pronarëve u ishte dhënë afat për t’i larguar vetë ndërtimet pas përfundimit të sezonit turistik, por për shkak të moszbatimit të këtij urdhri, IKMT ndërhyri me mjete të rënda për prishjen e tyre. Aksioni është pjesë e operacionit për lirimin e hapësirave publike dhe mbrojtjen e mjedisit në vijën bregdetare.
Gjipeja, një nga plazhet më të frekuentuara të rivierës shqiptare, ka qenë shpesh në fokus të debateve mbi ndërtimet sezonale dhe menaxhimin e territorit në zona të mbrojtura.