Këshilli Bashkiak heq taksën për mjetet e rënda. Të majtët: Biznesmenët përkrahen nga “lart”
Mimoza Sinani
Banorët e qytezës së Urës Vajgurore në Berat ankohen për rrugët e prishura dhe për ndotjen e ajrit të shkaktuara nga bizneset e shumta të gurit. Megjithëse problemi është i mbartur prej vitesh, qeverisja vendore, por edhe ajo qendrore, ende nuk e kanë zgjidhur këtë fenomen. Rrugët janë prishur totalisht, ndërsa disa lagje zhyten nën tymin e shkaktuar nga automjetet e tonazhit të lartë që kalojnë pa pushim midis rrugëve të ngushta dhe plot pluhur. Duke dashur të rregullojë këtë problem, Këshilli Bashkiak i Qytetit vendosi disa muaj më parë në unanimitet që të vendosej një taksë simbolike prej 50 lekësh ndaj të gjithë kamionëve që merrnin gurë në këtë zonë. Me këtë fond do të rregulloheshin rrugët dhe do të vendoseshin tabelat, madje edhe kanalizimet. Prej disa javësh vendimi u zbatua nga disa punonjës të bashkisë që mblidhnin “bakshishin”.
Megjithatë, kur kaluan vetëm pak javë, i njëjti Këshill Bashkiak, propozoi në çastet e fundit ta heqë këtë taksë, pasi po “dëmtohej” biznesi në këtë zonë. Nisma u mor nga këshilltarët e djathtë që zotërojnë shumicën, ndërsa të majtët pohojnë se vendimi është “marrë nga biznesmenët që kanë paguar ryshfet”. Megjithëse nuk përmendin emra biznesmenësh që veprojnë në këtë zonë, ata saktësojnë se këta “kontrollohen nga politika e qendrës”. Njëri prej këshilltarëve, Viktor Xhemali, në mbledhjen e disa ditëve më parë, foli hapur për tendencat dhe lidhjet që i detyrojnë këshilltarët e djathtë të ndërmarrin këto vendime, pasi kanë interesa tepër të ngushta me biznesmenë të veçantë që konsiderohen (bosë) dhe që pasurohen nga dita në ditë nga bizneset në dëm të komunitetit.
“Ju jeni të lidhur edhe materialisht me njerëz të veçantë që kanë shumë emër dhe përkrahen edhe nga lart, ata ju detyrojnë ju të veproni në kundërshtim edhe me mendimin tuaj, duke i sjellë dëme komunitetit të Urës Vajgurore”, tha Xhemali, duke konfirmuar edhe dyshimet e banorëve të zonës, të cilët shpeshherë kanë akuzuar deputetë dhe ministra të mazhorancës që kontrollojnë guroren e Urës Vajgurore, një nga më të mëdhatë në Shqipëri, ku merren inertet për ndërtimin e rrugëve, qendrave tregtare e deri te shtëpitë. Një tjetër dyshim për këshilltarët e majtë për heqjen e kësaj takse ka qenë vendosja e saj në rendin e ditës vetëm 24 orë para zhvillimit të mbledhjes, në një kohë që ndryshimi duhej të ishte bërë pesë ditë më parë. Gjatë mbledhjes, këshilltarët deklaruan se nuk ishin lajmëruar për tematikën e kësaj mbledhjeje dhe për çfarë ata do të vendosnin.
Në këtë mbledhje të këshillit ishin prezentë edhe përfaqësuesit e karrierave të guroreve, të cilët ishin dakord për heqjen e taksës nga bizneset e tyre. Me gjithë këto debate, anëtarët e djathtë në këshill miratuan propozimin për heqjen e taksës. Mësohet se vendimi i të djathtëve u kundërshtua edhe nga kryetari i Bashkisë së Urës Vajgurore, Syrja Ormënaj. Të djathtët nuk e morën parasysh propozimin nga administrata e bashkisë se ndryshimi i taksës do ta rriste më shumë koston e mbledhjes së saj sesa nga vetë taksat. Megjithatë, Ormënaj, me një shkresë drejtuar prefektit të Beratit, i ka kërkuar që vendimi i Këshillit Bashkiak të Urës Vajgurore të mos aprovohet nga prefekti, pasi heqja e kësaj takse cenon rëndë buxhetin e bashkisë, sidomos në mes të vitit dhe cenohen interesat e komunitetit për shërbime, si pastrimi, infrastruktura etj.
Brenda kompetencave ligjore, kryetari i bashkisë, Syrja Ormënaj, ndërmori nismën duke u kërkuar këshilltarëve të djathtë që ta shikonin me arsyetim të thellë dhe duke mos shkelur interesat e komunitetit. Ormënaj kërkoi rishikimin e kësaj takse pasi, sipas kreut të bashkisë, anulimi ose heqja e kësaj takse do të thoshte prekje të interesave të komunitetit dhe vështirësi në funksionimin e vet institucionit.
Në Bashkinë e Urës Vajgurore kryejnë veprimtarinë e tyre mbi 26 biznese në gurore, karriera, të cilat përpunojnë dhe transportojnë lëndë në destinacione të ndryshme brenda dhe jashtë rrethit. Krahas detyrimeve që paguajnë në bashki është vendosur prej 15 vjetësh edhe taksa e transportit sipas tonazhit, e cila në vitin 2007 u zëvendësua me taksën e qarkullimit të subjekteve që ndikojnë në infrastrukturë. Veprimtaria e këtyre bizneseve ka dëmtuar rrugë, ka sjellë ndotje në mjedisin nga shkelja e rregullave, shumë herë banorët e lagjes “28 Nëntori” kanë ngritur zërin e tyre mbi problemet që ka hapur veprimtaria e këtyre firmave pa kriter. Shpërthimet me lëndë eksplozivi ka dëmtuar banesat, ndërsa pluhuri tepër shqetësues i ka sjellë pasoja në jetën e përditshme. Për sa i përket mjedisit, është tepër i dëmtuar, nga dita në ditë zhduken sipërfaqe të tëra me gjelbërim e konsideruar frymëmarrja e qytetit.
Bizneset: Në Bashkinë e Urës Vajgurore kryejnë veprimtarinë e tyre mbi 26 biznese në gurore, të cilat përpunojnë dhe transportojnë lëndë në destinacione të ndryshme brenda dhe jashtë rrethit