Familja e sipërmarrësit italian të pasurive të paluajtshme, Edoardo Sarchi, 44 vjeç, i vrarë në rrethana të paqarta në Tepelenë, është e tronditur dhe kërkon sqarim të plotë nga autoritetet shqiptare. Zërin e saj e bën publik kushëriri i viktimës, Riccardo Barbieri, pronar i një hoteli në zonën e Vareses, i cili rrëfen dhimbjen dhe pasigurinë që po kalojnë të afërmit.
“Lajmet që marrim janë vetëm nga mediat lokale. Në televizion ende nuk jepet asgjë e qartë. Funerali zhvillohet sot. Është një humbje e tmerrshme. Edoardo ishte i martuar, baba i dy fëmijëve, një njeri i mirë, i sinqertë dhe i butë”, – tha Barbieri.
Për sa i përket rrethanave të ngjarjes, ai thekson:
“Besojmë se diçka ka ndodhur me dy djemtë e ortakut të tij. Mendojmë se ka qenë një sherr. Vetëm hetimet do të tregojnë të vërtetën. Nuk kuptojmë se përse u vra Edoardo. Po presim që drejtësia të zbulojë motivet.”
Duke kujtuar takimin e fundit me kushëririn e tij, Barbieri shtoi:
“E pashë për herë të fundit tre vjet më parë, kur vdiq babai i tij. U mblodhëm të gjithë si familje. Edhe pse ishte një moment i dhimbshëm, na ktheu kujtimet e fëmijërisë.”
Sa i përket pjesëmarrjes në funeral, ai tregon:
“Gruaja e tij ndodhet në Shqipëri, ndërsa unë nuk arrita të shkoja. Edhe motra e tij nuk mundi të udhëtonte me kohë. Janë kushërinjtë e tij dhe të afërm të tjerë që jetojnë atje prej shumë vitesh. Kompania ‘Edilcentro’, e themeluar tridhjetë vite më parë nga xhaxhai i tij Augusto Nidoli, tashmë drejtohet nga djali i këtij të fundit, Antonio. Shpresa jonë e vetme është që autoritetet shqiptare të zbardhin plotësisht çfarë ndodhi.”